23:17 / E Diele, 07 Tetor 2018 / indeksADMonline

Me rastin e 70-vjetorit, Porsche qet në ankand një model të rrallë

Porsche ka prodhuar vetëm katër makina të para-prodhimit, të cilat u përdorën për testim.

Njëra prej tyre, 911 Carrera RS 2.7 do të dalë në fund të tetorit në ankandin e organizuar nga RM Sotheby, me rastin e 70-vjetorit të Porsche.

Kjo do të jetë një mundësi unike për koleksionistët klasikë të makinave sportive që të blejnë një ekzemplar jashtëzakonisht të rrallë të kësaj marke të prodhuar në vitin 1972, gjashtë muaj para lansimit të modelit serik 911 Carrera RS.

Automobili deri më tash ka ndërruar shumë pronarë dhe përfundoi në SHBA, ku edhe u restaurua. Aktualisht është në pronësi të një koleksionisti nga Gjermania.

Vlerësohet se në ankandin që do të mbahet më 27 tetor, ky prototip do të arrijë çmimin ndërmjet 1.250.000 deri 1.500.000 dollarë.