13:07 / E Diele, 14 Tetor 2018 / indeksADMonline

Mesazhi i të parit të FFK-s para ndeshjes, Ishujt Faroe – Kosovë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka një mesazh para ndeshjes së sontme me Ishujt Faroe.

Kosova është mysafire e Ishujve Faroe në Torshavn në kuadër të Ligës së Kombeve.

Duke përmendur sfidat që ka pasur Kosova ndër vite, Ademi ka shkruar një mesazh para ndeshjes me Kombëtaren ishullore, transmeton IndeksOnline.

”Nuk do mend se Kosova gjithmonë ka kaluar nëpër sfida të ndryshme e të mëdha drejt synimeve të saja e njëra nga to është edhe prekja e majave në futboll”.

”E për ta prekur këtë ëndërr djemtë e Kombëtares A, kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt majës së Evropës dhe deri me tash me shumë sukses kanë kapërcyer sfidat e ndryshme”.

”Në vargun e këtyre sidave, sot e kemi një sfidë tjetër në tokën e largët të Ishujve Faroe, ndaj në mëngjesin e kësaj dite i lutem zotit që të jetë me djemtë e artë të Kosovës, të cilët çdo ditë e më shumë po e lartësojnë Kosovën me përpjekjet e tyre për të arritur majat e futbollit evropian”.

”Thellësisht jam i bindur që ne këtu, por edhe mbarë Kosova dhe shqiptarët ku do që janë, sot me mendje, sy e veshë janë të drejtuar kah Ishujt Faroe. Po ashtu jam i bindur që secili futbollist e ndjen në shpirt, e ka në mendje dhe zemër gjithë këtë përkrahje e kjo atyre ju jep zemër e krah për të ngadhënjyer në përballjen e sotme”.

”Lutem që ta kapërcejmë me sukses edhe këtë sfidë që të i afrohemi sa më shpejt cakut dhe realizimit të ëndrrës tonë. Për të gjithë ata që për kushte e rrethana të kuptueshme nuk kanë mundur të jenë këtu pranë nesh, FFK-ja bashkë me Kompaninë IPKO dhe Komunën e Prishtinës janë përkujdesur që në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, që përmes ekranit të madh televiziv të kenë mundësinë të shijojnë emocionet që do të ofrojnë me lojën e tyre të shkëlqyeshme djemtë e Kosovës”.

”Unë dua të besojë dhe shpresojë se kështu do të kapërcejmë çdo sfidë dhe ëndrra jonë e përbashkët do të bëhet realitet duke shkruar një faqe të re të historisë në enciklopedinë e Kosovës. Urime e suksese në sfidat tona të përbashkëta!”, ishte mesazhi i Ademit./IndeksOnline/