23:53 / E Diele, 14 Prill 2019 / indeksADMonline

Mihajlovic “shpërthen” kundër Juventusit

Bolonja barazoi ditën e sotme në transfertë përballe Fiorentinës. Në prononcimin pas ndeshjes për mediat italiane tekniku i skuadrës kuqeblu, Sinisha Mihajloviç, veç të tjerave ka folur edhe për triumfin e rivalëve të SPAL-it në sfidën ndaj Juventusit.

Serbi ka shpërthyer ndaj kampionëve në fuqi të Italisë, të cilët aktivizuan disa futbollistë të rinj në përballjen ndaj SPAL-it dhe e humbën ndeshjen me rezultatin 2-1.

“Kjo që dua të them, ka të bëjë me “tolerimin” bardhezi, që mendonte për Ajaxin dhe hodhi në fushë disa të rinj. Shumë do të jenë dakord me këtë, të tjerë jo. Jam mësuar të shoh gjithmonë se çfarë ndodh brenda shtëpisë time.

Nëse përballesh me Juventusin titullar, atëherë mirë. Nëse përballesh me Juven me rezerva, që sidoqoftë janë titullarë në çdo ekip tjetër, atëherë mirë edhe atëherë. Por, nëse Juventusi hedh në fushë disa fëmijë apo lojtarë të Serisë C, atëherë nuk më duket e drejtë.

Nëse do të isha trajner i SPAL-it do të kisha thënë “dreqin, duhet të fitoj”. Dhe, kështu ndodhi. Por, nuk është sjellje e duhur. Nuk mendoj se Juventusi ka probleme grupi. Kjo nuk më pëlqeu. Por, e di që atyre nuk i plas fare. Për fat të keq, futbolli italian është kështu”, u shpreh Mihajloviç.