09:56 / E Hënë, 03 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet të fuqizohet e jo të shpërbëhet

Shkruan: Vehbi MUJKU

Kosova ka vujtë dhe do të vuan për të pas politika sociale të mirëfillta, strategji dhe vizion për rregullimin e politikave sociale dhe familjes.

Për 20 vite është investuar në ngritje të kapaciteteve profesionale, ndërlidhje dhe funksionalizim të dikastereve brenda MPMS-së dhe përnjëherë të zhbëhet si e tillë, do ti ketë pasojat e saja afatgjate.

Ne sot po përballemi me rritjen e dukurive negative sociale nga më të rëndat, ku shërbime sociale profesionale brenda Qendrës për Punë Sociale janë buzë kolapsit, e për të cilat duhet zhvilluar politika sociale adekuate dhe ngrit përkrahjen financiare dhe profesionale.

Kosova është mishëruar por edhe ka krijuar vartësi nga skemat sociale të tepërta, të cilat duhet të reduktohen, pasi që secila qeveri ka shtuar gjatë mandatit të vet një apo dy skema, me qëllim të përfitimit të një grupi të popullatës.

Komunat edhe ashtu kanë dështuar në ofrimin e shërbimeve sociale profesionale, për çka kanë nevojë për përkrahje nga niveli qendror e jo të mbesin “jetim” vet ato.

Në anën tjetër ndarja e sektorit të shërbimeve sociale nga asistenca sociale, ku konsiderohet se ndihmat sociale janë vetëm pagesa, dhe këtë mund ta kryej ministria e financave, është gabim tjetër, pasi që familjet në asistencë sociale janë ngushtë të lidhura dhe të varura nga shërbimet sociale familjare.

Edhe pse gjatë fushatës zgjedhore shumë pak apo hiq, është debatuar për politikat sociale, shpresa ka qenë se qeverisja e ardhshme do ta forcojë këtë segment, por duket se kjo nuk do të ndodhë, apo ka diçka që ne nuk e dimë dhe që nuk po prezantohet ende para opinioni.

Politikat sociale janë një prej orientimeve kryesore programore të partive me orientim të majtë.

Ministria e Integrimeve Evropiane mund të mbetet sektor i Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëse Qeveria varet nga sasia e numrave, dhe MPMS të vazhdoj të funksionojë si e vetme, ashtu siç e kanë gjitha vendet ballkanike dhe Evropiane!

(Autori është pjesë e Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale)