16:23 / E Mërkurë, 24 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ministrja Hoxha kërkon që të përshpejtohet vendimmarrja për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar në Strasburg, Igor Sholtes, Raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, dhe Eduard Kukan, eurodeputet nga Sllovakia, Kryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian për Serbi si dhe përfaqësues i Grupit të partive të djathta, PPE, për Ballkanin Perëndimor, me ç’rast, ka diskutuar dhe ka kërkuar përkrahje për liberalizimin e vizave.

Ministrja Hoxha e falënderoi Z. Sholtes për përkushtimin e tij për liberalizimin e vizave, për përkrahjen e pakursyer për liberalizimin e vizave dhe promovimin e të arriturave të Kosovës në këtë proces.

“Kosova dhe qytetarët e saj, padrejtësisht është e privuar nga lëvizja e lirë, duke mbetur si i vetmi vend në rajon që nuk gëzon regjimin pa viza me vendet e zonës së Shengenit. Lëvizja e lirë do të rritë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se kjo e rrit bashkëpunim ekonomik, kulturor, arsimor, shkencor por edhe në fushat tjera.

Ne kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe tani është radha e BE-së dhe shteteve anëtare që të kryejnë pjesën e vet të punës, ne kemi treguar rezultate, kemi vepruar sipas udhërrëfyesit, BE-ja duhet të veprojë tani pa humbur kohë dhe të mundësojë lëvizjen e lirë për qytetaret tanë.

Sholtes ka inkurajuar punën e Ministres Hoxha dhe të Kosovës në tërësi, duke theksuar se shpreson që procedurat e mbetura për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, e që janë në nivel të BE-së, do të kryhen brenda afateve. Shpresoj që shtetet anëtare do të ndjekin shembullin e Parlamentit Evropian dhe do t’i japin dritën e gjelbër regjimit pa viza sa më shpejtë që është e mundur.

Ministrja Dhurata Hoxha, ka takuar në Strasburg, z.Eduard Kukan, eurodeputet nga Sllovakia, Kryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian për Serbi si dhe përfaqësues i Grupit të partive të djathta, PPE, për Ballkanin Perëndimor.

Ministrja Hoxha e falënderoi Z. Kukan për vlerësimin ndaj Ballkanit Perëndimor, në veçanti për të arriturat e Kosovës, për kushtet e realizuara për lëvizjen e lirë, duke vënë në pah se liberalizimi i vizave, është në duart e shteteve të BE-së, ku Komisioni Evropian e ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur kushtet lidhur me liberalizimin e vizave, të përcaktuara me udhërrëfyes. Z. Kukan theksoi se Ballkani Perëndimor është brenda strategjisë dhe planit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ne do të bëjmë punën tonë për këtë proces.