16:42 / E Hënë, 09 Korrik 2018 / indeksADMonline

Moduli për kontrollimin e gjobave në trafik i rrezikshëm? Sqaron Policia e Kosovës

Disa njohës të teknologjisë kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre lidhur me përdorimin e linkut për kontrollimin e gjobave në komunikacion, mirëpo, për këtë ka dhënë sqarimin e saj Policia e Kosovës duke siguruar që moduli për kontrollin e gjobave në trafik është në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të gjitha të dhënat që shfaqen janë të enkriptuara sipas standardeve për enkriptimin e të dhënave.

Policia përmes një komunikate thotë se përmes faqes zyrtare ua mundëson qytetarëve qasjen për kontrollimin e tiketave të trafikut, transmeton Indeksonline.

Sqarimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Referuar kërkesave të shumta dhe prezencës së shtuar të qytetarëve nëpër stacione policore për t’u informuar lidhur me numrin e kundërvajtjeve/gjobave të papaguara që mund t’i posedojnë, Policia e Kosovës ka lansuar ueb-modulin e publikuar në ueb faqen zyrtare të PK-së ( www.kosovopolice.com ).

Me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi Policia e Kosovës përmes mekanizmave të brendshëm, ka ofruar një mundësi që tiketat e papaguara të mund të kontrollohen, duke u qasur në ueb-faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, pa pasur nevojë të paraqitjes në stacione policore.

Lansimi i këtij ueb-moduli si fazë testuese ka filluar me datën 06.07.2018, në ueb faqen e PK-së, ku është instaluar ikona “Gjobat në trafik" (sikurse në foton më poshtë), ku pas klikimit në të njëjtën dhe ofrimin e të dhënave si (numri personal, emri dhe mbiemri), çdo qytetar do të ketë mundësi t’i gjejë sa tiketa të papaguara i ka, numrin e tiketës, në cilin stacion janë shqiptuar dhe sa e kanë vlerën.

Vlen të theksohet se në mungesë të një sistemi të unifikuar të të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces që përfshijnë: shqiptimin e gjobave nga PK-ja, ndëshkimet/vendimet nga organet e drejtësisë dhe pagesat që realizohen përmes autoriteteve bankare, ekziston mundësia e shfaqjes së ndonjë mosevidentimi të pagesave në kohë optimale, të realizuara nga qytetarët.

Policia e Kosovës është duke punuar në vazhdimësi në kualitetin e shërbimeve, përfshirë këtu edhe rifreskimin e të dhënave në rastet kur qytetarët i ofrojnë dëshmitë mbi pagesën e gjobave, me qëllim të shlyerjes së tyre nga sistemi.

Ndërsa sa i përket shqetësimit rreth mbrojtjes së të dhënave personale ueb moduli për kontrollin e gjobave në trafik është në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të gjitha të dhënat që shfaqen janë të enkriptuara sipas standardeve për enkriptimin e të dhënave./Indeksonline/

Programi për kontrollimin e dënimeve në komunikacion rrezikon të dhënat e juaja personale