15:12 / E Premte, 30 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Mospajtimet Thaçi-Haradinaj nuk i bëjnë nderë imazhit të Kosovës jashtë kufijve

Raportet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj, janë acaruar kohëve të fundit, kjo për shkak të qëndrimeve të kundërta që kanë për idenë e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi. Përderisa, Thaçi mbështetë idenë për korrigjimin e kufijve, Haradinaj ka thënë se kjo ide e shkëmbimit të territoreve është e vdekur. Po ashtu, vendimi për taksën prej 100% ndaj produkteve të Serbisë i marrë nga Qeveria e Kosovës, nuk është komentuar me asnjë fjalë të vetme nga Thaçi.

Mirëpo, sa ndikojnë këto mospajtime të krerëve të shtetit në politikën e jashtme? Sipas KDI-së, këto qëndrime polarizuese për çështje të interesit nacional nuk i bëjnë aspak nderë imazhit të Kosovës jashtë kufijve.

Koordinatorja për marrëdhënie me publikun në KDI, Blerta Aliu për Indeksonline ka thënë se në këto rrethana as partnerët ndërkombëtar nuk e trajtojnë me seriozitet shtetin e Kosovës.

“Qëndrimet polarizuese të krerëve shtetëror për çështje me interes nacional nuk i bëjnë aspak nderë imazhit dhe përfaqësimit të Kosovës jashtë kufijve. Në rrethana të tilla është e pamundur që shteti i Kosovës të trajtohet me seriozitet nga partnerët ndërkombëtar, nëse nuk ka një strategji të qartë shtetërore dhe një bashkërendim të veprimeve qëndrimeve dhe deklarimeve për çështjet vitale të shtetit siç është ajo e territorit të vendit që kohëve të fundit e ka theksuar mospajtimin e këtyre dy personaliteteve që është shfaqur edhe në diskursin e tyre publik”, ka thënë ajo në një përgjigje për redaksinë.

Blerta Aliu nga KDI ka përmendur dy raste të mospajtimeve të këtyre dy personaliteteve në diskursin publik, e që ato janë ideja e korrigjimit të kufijve dhe taksa.

“Përderisa presidenti nuk përjashton mundësinë që të ketë korrigjim kufijsh në të cilët Kosova sipas tij do të ishte vetëm përfituese, kryeministri ka konsideruar se nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe se ata duhet te mbesin siç janë shpallë më 17 shkurt 2008. E sa i përket vendimit më të ri të Qeverisë së Kosovës në kuadër të relacioneve me shtetit e Serbisë, ai për vendosjen e taksës doganore 100% për mallrat serbe, ne ende s’kemi parë një deklarim zyrtar të presidentit për të parë qëndrimin e tij karshi këtij veprimi të qeverisë Haradinaj. Ndryshe ky është një prej vendimeve që ka gëzuar mbështetje të gjerë nga publiku kosovarë”, ka thënë ajo mes të tjerash.

Ndërsa, për analistin politik, Donik Sallova, politika e jashtme e Kosovës nuk është e ndërtuar mbi një strategji kombëtare, që sipas tij do të tregonte se cilat janë aspiratat tona në 20-30 vitet e ardhshme.

“Faktikisht kjo është politika e jashtme e Kosovës, një politikë diverxhente, pasqyrim i politikës së brendshme, pasqyrim i raportit politik të forcave, fakt i pafuqishmerisë politike të kryeministrit në qeveri dhe varësia e tij nga PDK-ja e cila kontrollohet nga Thaçi. Përplasja politike Thaçi-Haradinaj do të çojë në rrëzimin e njërit nga pushteti. Druaj se do jetë Haradinaj, por kjo mbetet për tu parë. Pra, politika jonë e jashtme, sot është në kaos dhe nuk është e ndërtuar mbi një strategji kombëtare qe do tregonte se cilat janë aspiratat tona në 20-30 vitet e ardhshme”, ka thënë Sallova.

Se sa do të ndikojnë mospajtimet e këtyre dy liderëve të lartë të shtetit në politikën e jashtme mbetet për tu parë./Indeksonline/