11:13 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

“Na lanë si qentë dhe pa eskortë në zemër të sektorit KOP”

Rrëfimi i njërit prej tifozëve romanistë në një faqe tifozësh: Ju thoni që ishim 15 kundër 1, por na rrethuan 140 kundër 15! Heshti më mirë dhe mos shihni videot që kanë dalë, sepse aty kishte mbaruar çdo gjë

Ngjarja e rëndë e ndodhur në hyrje të njërit prej sektorëve miq, por edhe pranë tribunës “Kop” (aty ku qëndrojnë ultrasit “reds” prej shumë vitesh tashmë) së stadiumit “Anfield Road”, ku një grup prej rreth 40 tifozësh romanistë, pjesë e grupimit “Fayden”, vazhdon të jetë nën hetim nga policia angleze, teksa dëshmi të shumta kanë nisur të dalin nga ajo mbrëmje që u kthye në terror dhe ku një baba i tre fëmijëve, irlandezi Sin Koks, është duke luftuar me vdekjen, në koma cerebrale.

E ndërsa Filipo Lombardi dhe Daniele Shiusko, dy tifozë romanistë, janë arrestuar dhe do të gjykohen më 28 maj si të akuzuar për dhunën e ushtruar ndaj tifozit (kanë mohuar përfshirjen e tyre në agresion), të tjerë po mbahen në Liverpool, ku policia angleze po bashkëpunon me atë italiane (DIGOS) për të gjetur realisht fajtorët.

Në fakt, gjithçka ndodhi vetëm një orë përpara ndeshjes, teksa gabimi fatal ishte i organizimit të bërë nga forcat e policisë në Liverpool, që ishin vendosur më së shumti në rrugën që të çon në fasadën kryesore të “Anfield”, për të shmangur atë që ndodhi në sfidën ndaj Mançester City, ku autobusi mik u godit me shishe birre dhe shumë sende të tjera.

Pikërisht policia bëri gabimin që nënvlerësoi lajmërimin e ardhur nga Italia se grupime ultrasish romanistë ishin nisur me destinacion Liverpoolin dhe, pasi u mblodhën në një nga pub-et e famshme pak larg stadiumit, nisën një mini-kortezh, të pashoqëruar. Të veshur me xhupa kryesisht të zi dhe fytyrat e mbulura, po i drejtoheshin sektorit të tyre, por aty nisi edhe gjithçka…

Shumë video amatore janë publikuar, madje edhe me një tifoz që mban në dorë nj çekiç, apo sende të forta, por sidomos të grushteve, levave, por edhe rripave me tokëz. E ndërsa romanistët akuzohen se janë shkaktarët e këtij sherri dhe që kishin përgatitur gjithçka, nga Italia flasin për një sulm të ndodhur aty për aty dhe asgjë të organizuar. “Përfituan nga mungesa e policisë, të dy palët, dhe nisën që të grindeshin”, thonë inspektorët italianë të policisë.

Por, në një nga faqet e ultrasve italianë, ka edhe një rrëfim interesant. Një tifoz, që e quan veten pjesë e asaj “ekspedite” në Angli, më saktë, Liverpul, Alesandro Timosi, ka shkruar dy komente që janë e vërteta, sipas tij, teksa shumë të tjerë i quajnë “vrasës” romanistët.

“Kush nuk ishte nuk mund të flasë! Na lanë të kalonim nën tifozerinë e tyre ultrase pa asnjë eskortë policie dhe pa asnjë shqetësim dhe çfarë mund të ndodhte. Na hidhnin shishe birre 3 litërshe prej qelqi në lartësinë e kokës, gurë, çelësa dhe gjithçka gjenin. Me këtë nuk justifikoj sjelljen e disa personave, por ato persona kanë shpëtuar tifozët tanë sepse na sulmuan plot pesë herë dhe mes nesh kishte edhe persona të moshuar. Tani tifozi i Liverpoolit do të kalojë sikur ishte Jezusi, por nuk është kështu, sepse shishet e birrës 3-litërshe nuk i gjuaja unë! Si mund të lësh një tifozeri mike të kalojë në sektorin e saj 20 metra larg Kop-it. Është vetëvrasje. Ne na ndante thjesht një transhe që ne duhet të mbanim kur ata na sulmonin. Indiferencë totale e policisë angleze dhe e Digos-it të Romës.

Ky është një turp. Na lanë si qen nën sektorin e tyre ultras. Nisën që të na hidhnin çdo gjë dhe ai personi që ndodhet në rrezik për jetën ishte i dehur dhe godiste me gurë. A vdiq? Po, vdiq për goditjen me rrip që mori kur ra në tokë, sepse nuk mbahej në këmbë. Ju thoni që ishim 15 kundër 1, por na rrethuan 140 kundër 15! Heshtni më mirë dhe mos shihni videot që kanë dalë, sepse aty kishte mbaruar çdo gjë”.