Napoli i ofron kontratë të re McTominayt
Napoli raportohet se i ka ofruar Scott McTominayt një kontratë të re dhe të përmirësuar deri në qershor të vitit 2030, në përpjekje për ta mbajtur lojtarin larg interesimit të klubeve të tjera para fillimit të Kupës së Botës.
Mesfushori, Scott McTominay, ka arritur kulmin e karrierës së tij pas largimit nga Manchester Unitedi drejt Napoli, ku në sezonin e parë u shpall MVP i Serie A, fitoi Scudetton dhe madje u nominua për “Topin e Artë”.
29-vjeçari ka parë gjithashtu vlerën e tij në treg të rritet ndjeshëm pas transferimit prej 30.5 milionë eurosh që Napoli i pagoi Manchester Unitedit në verën e vitit 2024.
Sipas disa raportimeve, përfshirë “Sport Mediaset”, “Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttomercatoweb”, Napoli po kërkon ta blindojë mesfushorin përpara se ai të nisë Kupën e Botës me Skocinë.
Klubi ka zhvilluar bisedime me McTominayn për një marrëveshje të re, e cila do ta zgjasë kontratën nga viti 2028 deri në vitin 2030.
Gjithashtu, paga e tij do të rritet nga rreth 3 milionë euro në sezon në rreth 5 milionë euro, duke e vendosur në të njëjtin nivel me Rasmus Højlundin, ndërsa më pak se Kevin De Bruyne dhe Romelu Lukaku në strukturën aktuale të pagave të klubit.

