15:53 / E Enjte, 05 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ndërpritet interpelanca për 53 milionët e “Bechtel-Enka”-s, Veseli do të vendosë për vazhdimin e saj

Pasi përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk arritën të merren vesh për vazhdimin e interpelancës për 53 milionët e “Bechtel-Enka”-s dhe në mungesë të kuorumit, seanca është ndërprerë.

Kryesuesi i seancës së sotme, Kujtim Shala, tha se për ditën dhe kohën kur do të vazhdojë seanca në fjalë do të vendosë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pasi tha se për këtë punë nuk është kompetent.

“Do ta lë që kohën me vendosë kryetari i Kuvendit, pasi nuk jam kompetent”, tha Shala.

Interpelanca e sotme është thirrur nga LDK-ja në të cilën është diskutuar për 53-milionëshin e kompanisë “Bechtel-Enka”.

Deputetët e pozitës dhe të opozitës kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë të përgjegjësisë. Përderisa, opozita ka kërkuar publikimin e nënshkrimit të kontratës me “Bechtel-Enka”-n.

Është vërejtur përplasje ndërmjet deputetëve dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky i fundit disa herë u është drejtuar deputetëve me fjalët: “A po kuptoni, a po merrni vesh?”

Ndërsa, Kujtim Shala ka kërkuar që kryeministri të mos sillet në këtë mënyrë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.