12:17 / E Mërkurë, 07 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Neymar i hidhëruar: Gjyqtari u tregua i pasjellshëm

Neymar kritikoi gjyqtarin Bjorn Kuipers pas barazimit 1-1 të PSG me Napolin, duke thënë se holandezi tregoi mungesë respekti, pas një kartoni të verdhë, në minutën e 90-të.

Braziliani, i cili ishte ndër lojtarët më të mirë të PSG-së gjatë kësaj sfide, u ndëshkua me të verdhë për protesta, ndërsa priste të gjuante një goditje të lirë.

Neymar i bëri shenjë Kuipersit për të treguar se lojtarët e Napolit nuk ishin vendosur në distancën e duhur në mur, por mori si përgjigje kartonin e verdhë. Ylli i kampionëve të Ligue 1 u përgjigj me një duartrokitje sarkastike ndaj incidentit dhe pas ndeshjes sqaroi:

“Të gjithë gabojmë, edhe arbitri është njerëzor dhe gabon. Megjithatë, ajo që më irritoi në fushë ishte mënyra si më trajtoi arbitri. Më tha diçka që nuk duhej ta thoshte.

“Nuk do ta përsërit atë që më tha. Ishte diçka e pasjellshme, tregoi mungesë respekti dhe ai nuk duhet të sillet në atë mënyrë. Thjesht se ka bilbil dhe kartonë nuk do të thotë që është mbi gjithçka. Dikush më lart duhet të bëjë diçka. Ne lojtarët duhet të tregojmë respekt për arbitrat në fushë dhe kjo duhet të jetë reciproke“.

Barazimi i Napolit erdhi nga një penallti e diskutueshme, pasi Jose Callejon ishte në pozicion jashtë loje, edhe pse milimetrik. Lorenzo Insigne realizoi nga pika e bardhë, duke anuluar avantazhin e PSG me Juan Bernat.

Pika dhe humbja e Liverpool në Beograd ishin të mjaftueshme për ta mbajtur PSG në garë për kualifikim, pasi kampionët francezë kanë pesë pikë nga katër ndeshje, në Grupin C. Napoli dhe Liverpool kanë nga gjashtë pikë, në krye të grupit.

Temat: