10:40 / E Enjte, 29 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Neymar luajti i lënduar kundër Liverpoolit

Ylli i PSG, Neymar, tha se ai ende po lufton me dëmtimin e tij, që e pësoi gjatë angazhimeve ndërkombëtare me Brazilin, më herët, këtë muaj, pavarësisht se luajti mbrëmë ndaj Liverpool, shënoi një gol dhe e ndihmoi ekipin e tij të fitonte 2-1.

Braziliani kishte qenë në dyshim për përplasjen e së mërkurës, për shkak të një lëndimi, por tha se nuk mund të mungonte në një sfidë me shumë rëndësi për kualifikimin në Champions. 26-vjeçari tha se nuk mund ta humbiste një ndeshje aq të madhe, sa ajo e së mërkurës, edhe pse nuk ishte në më të mirën e tij.

“Nuk isha 100 përqind, – u tha Neymar gazetarëve, nëpërmjet “L’Equipe”. – Por, kjo ishte një ndeshje e rëndësishme, kështu që, i lënduar apo jo, duhej të isha atje, në fushë, krahas shokëve”. Goli i Neymar nuk ishte vetëm pjesë e fitores së kampionëve të Ligue 1, por e pa atë të bëhet shënuesi kryesor brazilian i të gjitha kohërave në historinë e Ligës së Kampionëve.

Ai parakaloi ish-yllin e Milanit dhe Real Madridit, Kaka, i cili shënoi 30 gola në Ligën e Kampionëve. Transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit ka tashmë 31 gola në garën maksimale europiane. Në vendin e tretë është legjenda tjetër braziliane, Rivaldo, i cili shënoi 27 gola në këtë kompeticion gjatë eksperiencës me Barcelonën dhe Milanin.

Neymar, gjithashtu, është i përfshirë drejtpërsëdrejti në 50 gola në Ligën e Kampionëve, duke dhënë edhe 19 asiste. Fitorja e lë PSG në formë të mirë në Grupin C, megjithëse tri ekipe në këtë grup kanë akoma një shans për t’u kualifikuar në raundin tjetër, me emiminim direkt.