13:57 / E Premte, 14 Shkurt 2020

Një këshillë miqësore për këshilltarët e Ambasadorit Richard Grenell

Në sferën publike të rajonit me të madhe po vepron diskursi mediatik i Sputnikut, qëllimi i të cilit është armiqësimi me çdo kusht i shqiptarëve të Kosovës me administratën e Presidenti Trump, duke u munduar ta paraqes Prishtinën se ndodhet para aktit të kryer, përmes presioneve të njëanshme gjoja të Uashingtonit. Interes i kujt dhe kush po do që ta paraqes Kosovën jokonstruktive në raport me SHBA-të?

Nga Emin AZEMI

Arsyeja se pse një qeveri apo një president dërgon ndonjë përfaqësues special për të përfaqësuar interesat e asaj qeverie apo atij presidenti, lidhet me shumë faktorë, por ndër ta është edhe rishikmi i qëndrimeve, pikëpamjeve dhe mbledhja a së më shumë informacioneve mbi një kontest të hapur në mes të dy shteteve.
Presidenti Doland Trump, sigurisht ka pasur shumë arsye për ta emëruar ambasadorin Richard Grenell si të dërguar të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë- Serbi, por një arsye shtesë mund të jetë edhe mungesa e informacioneve të mjaftueshme nga terreni, të cilat do të mund të kompletoheshin me emërimin e Grenellit në këtë detyrë mjaft të rëndësishme.

Por, nga ajo që mund të shihet si mangësi në këtë mision të diplomatit të lart amerikan, është se ai nuk është informuar mjaftueshëm mbi thellësinë e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Çka është edhe më problematike, rezulton që edhe zyra e ambasadorit Grenell të bie në grackën e informacioneve të pafiltruara që plasohen në opinionin publik, qëllimi i të cilave është nxirja e imazhit të Kosovës në sytë e komunitetit ndërkombëtar.
Pas vizitës që e zhvilloi në Prishtinë, në fund të janarit, Ambasadori Richard Grenell, vizitoi edhe Beogradin dhe sipas shtypit serb, ai ka thënë se ka një periudhë të shkurtër kohore për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

“Njerëzit e dinë që një gjë e tillë duhet të ndodhë, por disa politikanë janë bllokuar në mënyrën e tyre të vjetër të menduarit dhe duanë të debatojnë për gjithçka. Unë mendoj se jemi afër për ta bërë një gjë të tillë – njerëzit duan të ecin përpara, për ta kapërcyer të kaluarën. Le të hiqet taksa dhe unë do të insistojë që Serbia të ndalojë fushatën, kjo duhet të ndodh në të njëjtën kohë”, citohet të ketë thënë Richard Grenell, sipas gazetës serbe Blic.rs.

Grenell gjithashtu ka theksuar se Trump nuk donte të humbiste kohë dhe se nuk do të lejojë që zgjidhja të zgjasë shumë nëse nuk ka përparim.

Nga ana e tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiqi e ka kundërshtuar hapur të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, lidhur me kërkesën që Beogradi të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve për Kosovën.

Për Vuçiqin është e papranueshme që të vihet shenjë barazimi në mes të heqjes së taksës dhe ndërprerjes së fushatës kundër njohjeve të Kosovës.

Po i bie që Kosovës i ndalohet ta përmend reciprocitetin, kurse Uashingtonit i ndalohet të kërkojë nga Beogradi të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve për Kosovën…
Pse?

Vetëm e vetëm që të arrihet marrëveshja finale Kosovë- Serbi…
E pse po dashka të arrihet me çdo kusht kjo marrëveshje, nëse njëra palë (Kosova) del kaq e nënshtruar nga Serbia dhe pse këtë nënshtrim e toleron Uashingtoni?
Pse Uashingtoni nuk bën trysni simetrike, si ndaj Prishtinës, ashtu edhe ndaj Beogradit?
Interes i kujt dhe kush po do që ta paraqes Kosovën jokonstruktive në raport me SHBA-të?

A po ndodhë një inxhinjering mediatik në këtë drejtim, duke e reduktuar problemin Kosovë-Serbi në qasje gjoja joparimore të Prishtinës kundrejt angazhimit dhe kontributit amerikan në tejkalimin e problemeve të hapura?
Pse mediat dhe njerëzit e dijes në Kosovë nuk po merren pak më shtruar me këtë çështje, sepse amerikanët kanë nevojë për sqarime shtesë, ndërkohë që në sferën publike të rajonit me të madhe po vepron diskursi mediatik i Sputnikut, qëllimi i të cilit është armiqësimi me çdo kusht i shqiptarëve të Kosovës me administratën e Presidentit Trump, duke u munduar ta paraqes Prishtinën se ndodhet para aktit të kryer, përmes presioneve gjoja të njëanshme të Uashingtonit.

Këshilltarët e Ambsadorit Richard Grenell a po ia sqarojnë sa duhet shefit të tyre këto shqetësime, dilema e prapaskena, që lidhen drejtpërdrejt me një vend të vogël, si Kosova, e cila nuk do të mund të çlirohej pa ndihmën e Amerikës…

A ka të ngjarë që këta këshilltarë të jenë kaq sipërfaqësor dhe pa dashjen e tyre të fusin në kurth një proces i cili nuk guxon të favorizoj deri në ekstrem njërën palë (Serbinë) dhe të nënshtrojë palën tjetër (Kosovën).

(Autori është profesor universitar dhe redaktor përgjegjës në të përditshmen KOHA të Shkupit)