11:35 / E Hënë, 21 Maj 2018 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim kundër të pandehurit Q.N, iu gjet drogë në autobus

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Q.N, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par.2 të KPK-së.

Të pandehurit Q.N i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.18.05.2018 deri me dt.18.06.2018.

I pandehuri Q.N dyshohet se me dt.18.05.2018, në rrugën magjistrale Prishtinë – Merdare, në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi, pa autorizim ka transportuar  substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, substanca psikotropike apo substanca analoge me qëllim të shpërndarjes, shitjes, ose ofrimit për shitje, transmeton Indeksonline.

Gjatë një kontrolli  nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – Sektori Qendror për hetimin e narkotikëve, e kanë ndalur autobusin dhe gjatë kontrollimit të autobusit është gjetur një valixhe e të pandehurit, Q.N, në të cilën  kishte 16 paketime të substancës narkotike, të llojit marihuanë, ku secili paketim kishte peshë rreth 520 gram, të cilat substanca janë konfiskuar nga Njësia e Forenzikës,  të  Stacionit Policor Podujevë.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për  caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Q.N është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/