13:24 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Njësitë e reagimit të shpejtë i bashkëngjiten FIT-it në Mitrovicë

Pjesëtarë të Njësisë së reagimit të shpejtë (NJRSH) të policisë nga qytete të ndryshme të Kosovës, i janë bashkëngjitur pjesëtarëve të FIT-it në bazën e Njësisë speciale ‘Belveder’ në Mitrovicë.

Burime të KosovaPress-it brenda bazës ‘Belveder’ kanë bërë të ditur se pjesëtarë të NJRSH-së nga Prizreni kanë arritur tashmë në këtë bazë, ndërsa pritet ardhja e këtyre njësive edhe nga qytetet tjera të Kosovës.

Ata janë në pritje të një urdhri për të intervenuar në rast nevoje.

Ndryshe, derisa drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe ministri i Arsimit, Mlladen Sharqeviq, aktualisht ndodhen në veri të Mitrovicës, ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin i është ndaluar hyrja në Kosovë, ku sot serbët festojnë ‘Vidovdanin’.