22:44 / E Enjte, 08 Mars 2018 / indeksADMonline

Nuk ka udhëtime jashtë vendit, deputetët e koalicionit dhe LDK-së të gatshëm për demarkacionin

Ndonëse ende nuk dihet koha e mbajtjes së seancës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, deputetët e grupeve parlamentare LDK dhe koalicionit qeveritar ndodhën të gjithë brenda Kosovës duke shmangur kështu mungesën e votave në rast se thirret seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit.

Kjo ndryshe për dallim nga hera e fundit kur në seancë e jashtëzakonshme mungonin gjashtë deputet të grupit parlamentar të LDK-së dhe koalicionit qeveritar.

Deputeti i LDK-së Naser Osmani, në një prononcim për Indeksonline ka konfirmuar se të gjithë deputetët e LDK-së janë në Kosovë dhe se nuk do të ketë kurrfarë mungese në rast se thirret seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin.

“Grupi parlamentar i LDK-se e ka harmonizuar qëndrimin e vet lidhur me votimin për demarkacion. Ne kemi pritur që për nesër të thirret seanca për demarkacion ku ne do të jepnim votën sipas marrëveshjes që kemi bërë. Por kurdo që të mbahet kjo seancë, qysh nesër ose jave tjetër ne jemi të gatshëm që ti përgjigjemi seancës”, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket asaj nëse seanca do të vazhdoj edhe më tej të shtyhet, sipas deputetit Osman duket se partitë e koalicionit kanë vështirësi në sigurimin e votave.

“Kjo varet prej partive në koalicion të cilat si duket nuk po mund të merren vesh dhe nuk po munden me siguri votën e tyre. Ne jemi në pritje ne kemi deklaruar që do ta japim votën atëherë kur pozita e dëshmon që i ka votat e saj. Çështja e diskutimeve me listën serbe për të siguruar votat është përgjegjësi e tyre që të sigurojnë votat deputetëve serb”, ka thënë Osmani.

Kjo çështje sipas tij është dashur të kryhet para dy viteve por është pritur që së paku demarkacioni të kaloj  këtë javë.

Edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së Meli Krasniqi, është shprehur se të gjithë deputetët e subjektit të tyre ndodhën brenda vendit dhe të gatshëm të japin votën e tyre pro.

“Deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së janë të gjithë në Kosovë, dhe në momentin që do të thirret seanca për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ne do të jemi të gatshëm dhe besojmë se do të kaloj”, ka thënë Krasniqi. /Indeksonline/