16:40 / E Premte, 05 Janar 2018 / indeksADMonline

Nuk ndalen dorëheqjet te Vetëvendosje, sapo ndodhi edhe një

Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Zgjim Hyseni ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në Lëvizjen Vetëvendosje.

Me anë të një letre njoftuese, Zgjimi ka publikuar dorëheqjen e tij duke treguar edhe arsyet.

Indeksonline ka kontakuar Hysenin që ka njoftuar me këtë letër largimin e tij:

“Nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes!

Në gjendjen që është krijuar, unë nuk mund ta vazhdoj më punën në Kryesinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Jam përpjekur që mospajtimet e mia t’i shprehi përmes diskutimeve në forumet e Lëvizjes, përfshirë Kryesinë, por kam parë veçse vesh të shurdhër. Pas një fushate sistematike të shpifjeje, linçimeve e etiketimeve, dhe pas një mungese të pabesueshme vullneti që këto probleme të adresohen drejt, e vetmja rrugë kundërshtimi më duket dorëheqja.

Nuk mund ta duroj ketë barrë në ndërgjegjen time. Personalisht, nuk më ka thënë kush gjë, por as që e bëj këtë thjesht se po më dhimbset dikush. Çfarë më brengos shumë është fenomeni, por sidomos precedenti që po vendosim. Thjesht nuk e kapërdij dot, sepse e di që po e bëra këtë shumë gjëra tjera shkojnë vaj pastaj.

Kemi thënë sa herë se jo çdo mjet arsyeton qëllimet, disa mjete e metoda madje mund t’i ndryshojnë ato. Me rrugën që kemi marrë kam frikë se nuk po shkojmë drejt realizimit të qëllimeve për të cilat përpiqemi tash 12 vjet.

Shëndet, Zgjimi “./Indeksonline/