14:58 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

Numri i veturave elektrike rritet me 50%

Në fund të vitit 2017, mbi 3 milionë vetura elektrike dhe plug-in hibrid ishin në rrugë nëpër botë, tha në raportin e saj vjetor Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

Kjo është një rritje prej 54 për qind krahasuar me vitin 2016, kur në botë kishte rreth 2 milionë automjete, bateritë e të cilëve mund të rimbushen në burimet e jashtme të energjisë nëpërmjet një kablloje.

Për një rritje të tillë të madhe globale, ndikim ka pasur Kina, ku janë shitur 580,000 vetura elektrike dhe plug-in hibrid vetëm në vitin e kaluar.

Numri i automjeteve elektrike gjithashtu është rritur ndjeshëm në SHBA, ku në vitin 2017, rreth 280,000 automjete elektrike dhe plug-in hibrid iu shpërndanë klientëve. Sipas raportit të IEA, kërkesat për automjete elektrike do të ritet edhe në të ardhmen, por janë të nevojshme edhe inovacione të caktuara në këtë fushë.