12:40 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

Osmani në Vushtrri: Shembull i solidaritetit dhe i menaxhimit të mirë të krizës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani vizitoi sot Komunën e Vushtrrisë ku u prit nga kryetari Xhafer Tahiri.

Tahiri e falënderoi Osmanin që ka zgjedhur ta vizitojë Vushtrrinë, sikur tha ai, në ditën më të rëndë të saj, pasi edhe tetë qytetarë të kësaj komune u konfirmuan si të infektuar me Covid-19.

Ai po ashtu e njoftoi kryetaren Osmani me hapat që Shtabi Emergjent dhe komuna po i ndërmarrin për menaxhimin e krizës së pandemisë, përfshirë dezinfektimin e të gjitha hapësirave publike, reduktimin e stafit, caktimin e Shkollës së Policisë si objekt karantinimi, angazhimin për mbarëvajtjen e mësimit online dhe sidomos me gatishmërinë që t’u ndihmohet familjeve në nevojë dhe bizneseve.

Osmani theksoi përkushtimin e saj dhe të Kuvendit që në këtë kohë të vështirë të ketë koordinim ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave.

Ajo kërkoi edhe një herë që në këtë kohë pandemie të merret shembulli i organizimit solidar në Vushtrri për t’u bërë bashkë në betejën ndaj pandemisë.

“Është dëshmuar që investimi në shëndetësi është i domosdoshëm për mirëqenien e shtetit. Kosova ka kaluar kohë të vështira edhe më parë, por i ka tejkaluar ato, ngase ka pasur solidaritet moral e politik”.