23:29 / E Shtunë, 09 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Paçarizi: Gjuha e politikanëve, e ulët dhe linçuese

Politikanët në Kosovë nuk po kursejnë shprehjet vulgare në gjuhën e tyre në publik, qoftë edhe në institucionin më të lartë të shtetit, Kuvend.

Sharjet e Fisnik Ismailit me nënë në facebook, sms-të me fjalët e Aida Dërgutit m** , e zëvëndësministri Bujar Cakolli me epitetin e “koalicionit të m**” referuar VV-së, janë vetëm disa nga pjesë të gjuhës së papërshtatshme që ata i përdorin e qe nuk ju përshtatet pozitës dhe institucioneve që këta përfaqësojnë.

Profesori universitar, Rrahman Paçarizi për Indeksonline është deklaruar se gjuha e papërshtatshme që po e përdorin politikanët ka marrë përmasa shqetësuese e madje po konsiderohet normale.

“Gjuha e papërshtatshme që po përdoret nga politikanët tanë tashmë ka marrë përmasa shqetësuese pasi tashmë ajo po konsiderohet krejt normale. Fatkeqësisht, ky diskurs dhe kjo gjuhë e ulët është bartur tashmë nga klasa politike e Shqipërisë e cila duket se është ngopur dhe ka nisur të heqë dorë nga ajo. Rreziku i përdorimit të kësaj gjuhë është acarimi potencial i pasuesve të këtyre politikanëve dhe mu krijimi i modeleve të komunikimit që mund të ndiqet nga njerëz gjysmë të shkolluar ose me frustrime të caktuara që e gjejnë vetën brenda asaj gjuhe” ka thënë ligjëruesi i UP-së, Paçarizi.

Ai ka shtuar se shpërthimi i këtyre sharjeve gati gjithmonë është në funksion të zhvendosjes së vëmendjes nga problemet e vendit, transmeton Indeksonline.

Paçarizi ka shtuar se kjo gjuhë është e linçimit dhe e pamundësimit të mendimit të lirë dhe ideve progresive.

“Kjo gjuhë ka elemente te fashizmit si ideologji, pasi është gjuhë e linçimit dhe e pamundësimit të lansimit të mendimit të lirë dhe ideve progresive. Njerëzit e tillë përmes kësaj gjuhe arrijnë të fshehin mungesat e shkollimit dhe të ideve duke bërë njëkohësisht që të pengohen njerëzit që kanë ide të mirëfillta dhe të dobishme. Gjithashtu shpërthimi i këtyre sharjeve gati gjithmonë është në funksion të zhvendosjes së vëmendjes nga problemet jetike të vendit, me ç’rast shtresave të caktuara u servohet shoë për konsum të lirë, ku shtresat e ulëta e gjejnë vetën dhe mund të bëhen pjesë e diskutimeve publike” ka përfunduar Paçarizi./Indeksonline/