10:58 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pakoja ligjore e Administratës Publike, Berisha sqaron ndryshimet që do ndodhin

Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së djeshme ka votuar në parim pakon ligjore të reformës së Administratës Publike, përkatësisht Projektligjin për Pagat, Organizimin e Administratës Shtetërore e Agjencive të Pavarura dhe Projektligjin për Zyrtarët publik.

Më projektligjin për pagat në sektorin publik, zyrtarët e shtetit nuk do t’i gëzojnë pagat e larta që janë rritur muaj më parë me vendimin e Qeverisë. Kjo pasi me projektligjin e ri krijohet sistemi homogjen i pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike, Arton Berisha për Indeksonline ka thënë se kjo pako ligjore vendos shtyllat për organizimin dhe funksionimin e shtetit.

Sipas tij, tri ligjet janë thelbësore për të zgjidhur problemet e deritanishme në sistemin e pagave, rregullimin e administratës shtetërore dhe përformancën e të punësuarve në sektorin publik.

“Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura ka për qëllim krijimin e kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe përformancën e administratës dhe agjencive. Ky ligj vendos rregulla të qarta për gjithë sistemin ministror dhe tipologji të thjeshtë që siguron organizim të përshtatshëm duke edhe vija të qarta të llogaridhënies për agjencitë. Ligji vendos rregulla që përcaktojnë funksionet për të cilat mund apo nuk mund të krijohen agjencitë e pavarura. Më tutje ligji vendos rregulla të organizimit të brendshëm për të gjitha organet e administratës shtetërore në përcaktimin e: strukturave të brendshme, nivelet, organogramin, raporti i strukturave të brendshme me Sekretarin e Përgjithshëm dhe Ministrin, aktin me të cilin përcaktohet organizimi i brendshëm dhe përmbajtjen e tyre, si dhe kompetencën për miratimin e organizimit të brendshëm. Ligji po ashtu parasheh që Qeveria e Kosovës brenda tri viteve të bëjë një rishikim funksional të gjitha organeve qendrore dhe të pavarura me opsione të qarta për racionalizimin e tyre”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, sa i përket ligjit për paga, Berisha thotë se do të përcaktoj sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike.

“Ligji për Pagat do të zgjedh një problem serioze që kemi në vend me rregullimin e pagave në sektorin publik, ku aktualisht ka një kaos sa i përket kornizës rregullative, ku përveç ligjit për pagat e nëpunësve civil kemi edhe afër 58 akte nënligjore dhe vendime të Qeverisë që rregullojnë çështjen e pagave. Ligji kur të miratohet do të vlej për të gjithë nëpunësit publik. Ligji krijon sistem homogjen të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Ligji vendos edhe rregulla minimale për të pagat e nëpunësve në ndërmarrjet publike. Rregullat e reja synojnë krijimin e një sistemi transparent dhe të barabartë të pagave duke jetësuar parimin pagë e njëjtë për punën e njëjtë”, ka thënë ndër të tjerash Berisha.

Kurse, për Ligjin për Zyrtarët Publik, parashihen disa ndryshme në procesin e rekrutimit në shërbimin civil.

Berisha thotë se ky ligj do të vendos sistem të rekrutimit të bazuar me meritë dhe menaxhim profesional.

‘Rekrutimi në shërbimin civil pas hyrjes në fuqi të ligjit o të bëhet përmes rekrutimeve në grup, që do të shërbejë për rekrutimin hyrës për nivelin profesional në institucionet e ekzekutivit. Do të krijohet një njësi qendrore përgjegjëse për zhvillimin e rekrutimit në grup në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike si dhe komisione përzgjedhëse permanente. Po ashtu ligji bënë kompletimin e kornizës ligjore për disiplinën në shërbimin civil me qëllim të forcimit të përgjegjshmërinë brenda shërbimit civil si një instrument për të sanksionuar shkeljet”, ka theksuar Berisha.

Ndryshe, Ministria e Administratës Publike do të udhëheq procesin e zbatimit të kësaj pako.

Kjo pako ligjore po shihet si mundësi që do të fuqizojë administratën shtetërore që vlerëson punën dhe rekruton e avancon personelin në bazë të meritë./Indeksonline/