14:24 / E Hënë, 11 Prill 2022 / k.v

Parduzi thotë se Mustafën e pa dy herë më 1998 dhe se kur po transportohej pas plagosjes më 1999 e pyeti disa herë se si është

Dëshmitari i tetë i mbrojtjes, Kapllan Parduzi, në dëshminë e tij në sesionin e parë të gjykimit të së hënës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka deklaruar se Mustafën e parë dy herë më 1998 dhe se kur ishte plagosur e po e transportonin më 1999, e kishte pyetur disa herë se si është.

Dëshmitari Parduzi, gjatë përgjigjes në pyetje të avokatit Betim Shala, ka deklaruar se kur është organizuar transporti i tij nga fshati Turiçicë për në fshatin Potok, tha se kushtet atmosferike kanë qenë të rënda, ku ka rënë shi pa ndërprerë dhe ka qenë bukur ftoftë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se nuk e di në cilin fshat janë ndalur për të pushuar, në Rimanishtë apo Bellopojë, por se e di që gjatë gjithë natës e gjithë ditës kanë udhëtuar dhe në mbrëmje kanë mbërritur në një nga këto dy fshatra.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Silvia D’Ascoli, dëshmitari bëri të ditur se i kujtohet se më herët deklaroi që në vitin 1998 e ka takuar dy herë Salih Mustafën.

Kurse, ai tha se ka pasur mundësi të lexojë deklaratën që e ka dhënë në shkurt të vitit 2021 për mbrojtjen, të cilën edhe e ka nënshkruar.

“Një herë e kam taku në Zllash dhe një herë në Bajgorë apo Zabërgjë”, bëri të ditur dëshmitari sa i përket vitit 1998.

Ai tha se ka thënë se në korrik të 1998 e ka takuar në Bajgorë, ku Mustafa ka dërguar disa ushtarë atje dhe se herën e dytë dikur në tetor të 1998-ës.

“Ne lexuam nga transkripti se hera e parë që keni thënë që keni takuar Mustafën ishte korrik 1998 me shumë gjasa në Bajgorë, hera e dytë që thatë ishte në vitin 1998, prapë kur shkuat për të dërguar ca armë dhe municione në tetor të vitit 1998. Ju kujtohet që i thatë këto”, pyeti prokurorja D’Ascoli.

Më pas, Parduzi tha se i kujtohet dhe e përsëriti këtë disa herë.

“Unë doja një qartësim sa i takon deklaratës tuaj të shkurtit 2021, do të lexoj fjalinë ku ju flisni për herët që keni takuar zotin Salih Mustafa, po shkoj në fund të fjalisë, ju thatë “hera e parë ishte në vitin 1998 dhe pas kësaj here ishte hera e dytë ishte në vitin 1999”. A ju kujtohet të keni thënë në deklaratën e mbrojtjes që vetëm njëherë e keni parë në 1998”, pyeti prokurorja.

“Unë e them atë që e mbaj mend dhe di dhe jo atë që don prokuroria të nxjerrë në kontest. Në deklaratën time dhe këtu deklaroj se e kam parë dy herë, në korrik dhe në tetor”, tha ai.

Prokurorja D’Ascoli e pyeti se përse nuk përmendet në deklaratën e mbrojtjes hera e dytë që është takuar me Mustafën në Zllash, më 1998.

Ndërkaq, dëshmitari tha se sigurisht nuk i është bërë pyetja dhe nuk është përgjigjur, por se ai beson se është përgjigjur.

Ai tha se asnjëherë nuk ka deklaruar se herën e dytë e ka takuar në vitin 1999 dhe tha se sërish përsërit që në korrik të 1998 dhe në fund të shtatorit apo në tetor për herë të dyë, herën e parë në Bajgorë e të dytën në Zllash.

Dëshmitari theksoi se ai përgjigjet në pyetjet që i parashtrohen dhe ato që i di dhe se nuk përgjigjet në pyetje, të cilat nuk i parashtrohen.

Tutje, prokurorja tha se dëshiron të flasë për periudhën e prillit të vitit 1999, kur dëshmitari është plagosur.

“Cilat ishin kushtet tuaja gjatë udhëtimit për të shkuar drejt Potokut, në çfarë gjendje ishit”, pyeti ajo, kurse dëshmitari tha se kanë qenë kushte tmerrësisht të rënda.

Ai përshkroi plagët që ka marrë nga snajperi dhe tha se sigurisht që ka pasur gjakderdhje shumë gjatë udhëtimit.

Ndërkaq, shtoi se traktori nuk është mjet i transportit, por është për bujqësi dhe në kushtet që kanë qenë është dashur të përdorin atë për transport, ku tha se ka qenë i shtrirë pasi nuk ka mundur të jetë statik ngase ka qenë i plagosur tepër rëndë.

Kurse, bëri të ditur se nuk ka pasur mjek afër, por një student i mjëksisë në vitin e pestë që tanimë ka doktoruar, por në atë kohë ka qenë vetëm student i mjekësisë. Në rimorkio, sërish bëri të ditur se ishte edhe Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka.

“Unë e kam pas jelekun mbrojtës dhe ia kam dhënë komandant Lekës, fatmirësisht Zoti e fati e ka shpëtu se sigurisht do të pësonte dëme shumë të rënda po mos të kishte pancirin”, tha dëshmitari.

Tutje, sërish tha se Mustafa e ka siguruar rrugën dhe ka pasur raste kur e ka pyetur se a po mundet të qëndrojë, “qëndro edhe pak, do t’ia dalim”.

Por, tha se nuk e di ku i është afruar për t’i folur Salih Mustafa, pasi nuk ka pasur busullë ta di në cilin fshat janë.

Ndërkaq, tha se e di që Mustafa ka shkuar me ta deri në Bellopojë apo Rimanishtë sepse e ka parë me sytë e tij.

Tutje, prokurorja e pyeti se si ishte në gjendje të kuptonte se ai ka ardhë deri në Rimanishtë apo Bellopojë.

“Bëhet fjalë për dy pjesë, prej Turiçice deri në Bellopojë a Rimanishtë, nuk jam i sigurt cilën u kon, pjesa tjetër ka qenë me kalu në pjesë verilindore për me kalu në spital, për herë të fundit aty ku jemi zbrit prej traktori dhe na ka marrë pjesa tjetër e brigadës 151 ka qenë hera e fundit dhe ndarja edhe deri aty e ka pas për detyrë”, tha Parduzi.

Dëshmitari Parduzi tha se nuk ka numëruar sa herë e ka parë Mustafën gjatë këtij udhëtimi, por se kur i ka ardhur mundësi i është afruar Mustafa dhe e ka pyetur lidhur me gjendjen e tij.

“Si kam numëru, një herë, a dy, a tri a, por po disa herë ka ardhë, që është edhe njerëzore”, ka thënë Parduzi.

I pyetur se si ka arritur ta njohë Mustafën pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ai tha se sa i përket gjendjes mentale ka qenë mirë dhe se e ka njohur Mustafën.

Sipas prokurores, në deklaratë, dëshmitari kishte thënë “Nuk e di se ç’nënkuptoni me fjalën keni takuar zoti Mustafa, pasi nuk isha në gjendje të lëvizja, isha i plagosur por në një pikë të caktuar më kujtohet se ka ardhur dhe më ka pyetur se si isha”.

Tutje, prokurorja citoi përgjigjen e tij kur ishte pyetur nga prokurori se a i kujtohet vendi kur Mustafa i ishte afruar të pyeste se si ishte, ku thotë se kishte thënë “nuk e di për shkak se ishte mbuluar, binte shi i rrëmbyer dhe do të kisha dashur ta dija ku ka ndodhur, por nuk e di”.

Ndërkaq, dëshmitari i konfirmoi këto deklarata të tij.

“Pyetja pasuese thotë a ka ndodhur kjo ndoshta e kuptoj këtë shumë mirë, a e dini nëse ka ndodhur më 11 prill apo 12 prill, sigurisht nëse ju kujtohet. Përgjigja juaj “nuk e di, nuk jam në gjendje ta përcaktoj, do të kishte qenë mirë po ta dija, por nuk e di”, lexoi prokurorja D’Ascoli.

Ai u përgjigj se nuk kanë qenë dy ditë, por kur llogatitet me data, i bie dy ditë.

“Data 10 kur jan nis me më transportu ka qenë ton natën, mesi i natës kemi hy në datën 11 prill, kemi udhëtu gjithë ditën, prapë ka hy në mesnatë 12. Unë nuk kam pas orë, prandaj sun e di unë a ka qenë 10, a 11, a 12, nuk e di se s’kam pas kohë me mendu sa është ora apo data”, sqaroi dëshmitari.

Dëshmia e këtij dëshmtiari pritet të vazhdojë pas pushimit të drekës.