18:31 / E Diele, 04 Mars 2018 / indeksADMonline

Pas vërshimeve, kjo është gjendja aktuale e ujit të pijshëm nga KRU “Prishtina”

Për shkak të reshjeve atmosferike ditëve të fundit, gjendja e ujit të papërpunuar në liqe dhe në kanalin e “Ibër Lepencit” është përkeqësuar sërish, për shkak të ngritjes së turbullirës, gjë që nuk po lejon të trajtojmë ujë të pijshëm në kushte optimale, ka njoftuar KRU “Prishtina”, transmeton Indeksonline.

Gjendja më e papërshtatshme është në fabrikën e trajtimit të ujit në  FPU-Drenas,  që ujin primar e merr nga kanali i Ibrit në Bivolak.

Ky kanal, me gjatësi prej 50 km, është i pambrojtur nga ujërat sipërfaqësore gjatë reshjeve, duke ndikuar që turbullira në këtë kanal të jetë në vlera të larta e që na pamundëson trajtimin e ujit të pijshëm, për shkak që shfaqen probleme teknologjike dhe papastërti. Situatë të ngjashme gjatë ditës së sotme kemi edhe në Lipjan(fshatin-Torinë), për shkak të përmbytjeve si dhe në Fushë Kosovë/Miradi e Ulët, poashtu për shkak të përmbytjeve nga lumi Sitnica.

Në të gjitha zonat e tjera të shërbimit vazhdon furnizim stabil me ujë të pijshëm, por jemi duke e monitoruar në vazhdimësi kualitetin e ujit , për shkak të situatës së krijuar së fundmi.

KRU “Prishtina” kërkon mirëkuptim nga konsumatorët e zonave të prekura!/Indeksonline/