16:21 / E Hënë, 27 Gusht 2018 / indeksADMonline

Pas vetëvrasjes së të burgosurit në Dubravë suspendohen 4 zyrtarë

Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton se i paraburgosuri me inicialet I.K, i lindur me 22.11.1987, nga fshati Tërpezë, Komuna e Malishevës është vetëvarur në orët e hershme të mëngjesit të datës 27.08.2018.

SHKK, po ashtu, thotë se i paraburgosuri I.K, ishte arrestuar me datë 10.04.2018 dhe ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ndërsa në Qendrën Korrektuese në Dubravë, është transferuar me datë 03.07.2018. Vepra me të cilën ngarkohej ishte vrasje e rëndë në tentativë dhe kishte vazhdim të paraburgimit deri me 08.09.2018.

“I paraburgosuri I. K, është pranuar në krahun Psikiatrik të stacionarit të Qendrës Korrektuese në Dubravë pas transferit nga Qendra e Paraburgimit në Prizren me datë 03.07.2018.

Nga data 30.07.2018 deri me datë 20.08.2018 ka qene i hospitalizuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në QKUK, në Prishtinë me Dg.F 43, X 78”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

“Për shkak të vetëlëndimeve dhe tentim-vetëvarjes është trajtuar në vazhdimësi nga mjekët e burgut, psikiatri dhe psikologu.

Për rastin janë njoftuar autoritetet kompentente, Prokuroria, Gjykata, Policia e Kosovës si dhe familja e të ndjerit”, thuhet më tej në njoftim.

“Ndërsa Menaxhmenti i lartë i Shërbimit Korrektues dhe Udhëheqësi i Shërbimit Shëndetësor për Burgje nga Ministria e Shëndetësisë, duke kërkuar një hetim profesional dhe të pavarur mbi përgjegjësinë e mbikëqyrjes së zyrtarëve përgjegjës, ka marrë vendim që të suspendohen dy Zyrtarë Korrektues dhe dy Infermierë deri në përfundimin e hetimit të rastit”, përfundon njoftimi i SHKK-së.