12:24 / E Martë, 02 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pasi SHBA-ja dha ‘dritën jeshile’, merret vesh kur shkon në Kuvend drafti për ushtrinë!

Forca e Sigurisë së Kosovës, shumë shpejt pritet të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Kjo, për faktin se edhe vet institucionet e vendit, po tregohen të gatshme për një proces të tillë.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj me tu kthyer në Kosovë nga SHBA-ja njoftoi se ka marrë përkrahjen edhe të liderëve amerikan për një gjë të tillë. “Ushtria është e kryme. Asnjë autoritet nuk është i painformuar”, është shprehur ai në një emision televiziv.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala në një bisedë për Indeksonline ka treguar se draft-ligji për FSK-në do të procedohet nesër, për të vazhduar më pas me seancën e radhës në Kuvendin e Kosovës.

“Nesër do ta procedojmë në komision për siguri, ku edhe besoj se aty do të merr aprovimin edhe do të dërgohet në seancën e parë dëgjimore. Pas kësaj kryesia do ta procedon për seancën e ardhshme. “, ka thënë Shala për Indeksonline.

Sipas tij, nuk pritet të ketë reagime si ato të mëhershmet, marrë parasysh që ka mbështetje edhe të faktorit ndërkombëtar dhe poashtu edhe të subjekteve tjera politike.

“Sipas informatave që kemi nuk do të ketë reagime qysh ka pas vitin e kaluar. Tash ka një mbështetje nga ndërkombëtarët, besoj edhe nga subjektet politike do ta ketë mbështetjen dhe shumë shpejt t’i kemi këto ndryshime për pako të ligjeve të FSK-së. “, ka shtuar tutje ai. Kujtomë faktin se Lista Serbe vazhdon të shprehet kundër këtij transformimi. Ndryshe, qeveria e Kosovës po punon intensivisht që transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të jetë një hap i përbashkët për anëtarësimin e Kosovës në NATO. /Indeksonline/