23:34 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Për katër muaj, 20 persona vdiqën në aksidente

Numri i aksidenteve është në rritje, përkundër shqiptimit të madh të gjobave dhe rritjes së shumës së gjobave. Në periudhën janar-mars 2018, në aksident trafiku kanë vdekur 17 persona, ndërsa 2 mijë e 661 të tjerë janë lënduar.

E një ritëm i tillë ka vazhduar edhe gjatë muajit Prill, ku deri më tani ka pasur shtim të numrit të viktimave nga aksidentet rrugore.

Rasti më i fundit humbja e jetës së një personi në aksidentin e ndodhur në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Por, një rritje të madhe krahasuar me vitet e kaluara, ka edhe në aksidentet pa fatalitet.

Krahasuar me vitet paraprake, sipas shifrave nga Policia e Kosovës, gjatë kësaj periudhe të vitit 2018, numri i aksidenteve pothuajse është dyfishuar.

Aksidente kanë ndodhur edhe nga pjesëtarë të vetë Policisë së Kosovës. Dy policë, tashmë rezultojnë të zhdukur, si pasojë e aksidentit në komunikacion, të cilën kishin rënë në Lumin Lepenc.

Sipas statistikave të Policisë, përveç rritjes së numrit të aksidenteve në komunikacion, në këtë vit ka pasur edhe rritje të tiketave ndaj shoferëve kosovarë. Por, që sipas tyre as kjo nuk po e ngadalëson ritmin e aksidenteve në vend.

Në tremujorin e parë të këtij viti, sipas Policisë, thuhet se janë shqiptuar 85 mijë e 332 tiketa trafiku.

28 mijë e 513 prej tyre janë për shumat deri në 500 euro, kurse 10 për shumën deri në 1 mijë euro, për të rritur sigurinë rrugore. Në 590 raste, drejtuesve të automjeteve u është konfiskuar leja për periudhën prej 3 muaj deri në 2 vjet.

 

Temat: