13:23 / E Shtunë, 22 Shtator 2018 / indeksADMonline

Përdorimi i internetit, një pjesë e madhe e fëmijëve kosovarë shohin pornografi!

Fëmijët e përdorin rregullisht internetin. Ky konstatim ka dalë nga një hulumtim që ka bërë Qendra për Studime të Avancuara – FIT.

Drejtoresha e kësaj qendre, Teuta Zymeri, thotë se numri i përdorueseve është rritur çdo vit. Ajo ka përmendur edhe disa nga rreziqet me të përballen fëmijët në internet, siç janë dhuna digjitale, komunikimi e takimi me të panjohur, keqpërdorimi i të dhënave personale, por edhe pamjet e papërshtatshme, siç janë videot me përmbajtje të dhunës ose pornografisë.

“Një pjesë e madhe e fëmijëve shohin pornografi. Këtë e shohin qoftë nga shtëpitë e tyre, qoftë në shkollë, domethanë një përqindje është që edhe nga shkolla shohin pamje të papërshtatshme. Tek pamjet e papërshtatshme nuk hyn vetëm pornografia, janë edhe pamjet e dhunshme, siç janë për shembull pamje të ndryshme, ku ka dhunë të madhe, duke ia pre kokën dikujt apo gjëra të cilat nuk janë të përshtatshme dhe ndikojnë negativisht në përceptimin për jetën në të ardhmen te këta fëmijë”, thotë Zymeri.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka botuar pakon me udhëzues “Udhëtimi nëpër internet”, dedikuar nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve. Merita Jonuzi, koordinatore për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Arsimit, njëherësh autore e librave, ka thënë se përmes këtyre pakove kanë për qëllim që ta kthejnë vëmendjen e shkollave për sigurinë e fëmijëve në internet, por edhe kah përdorimi cilësor i internetit.

“Qëllimi i pakos është për të integru kontekstin e mbrojtjes së fëmijëve në internet brenda institucioneve tona arsimore. Thjesht, kjo pako ka për qëllim që të orientojë punën e shkollave, mësimdhënësve dhe gjithë subjekteve relevante të shkollës, për përdorimin e internetit në mënyrë të sigurtë dhe të përgjegjshme prej të gjitha subjekteve… Që shkolla të ketë vëmendje ndaj mbrojtjes së fëmijëve në internet, që fëmijët të edukohen mirëfilli se si ta përdorin internetin”, ka thënë Jonuzi.

Jonuzi ka treguar se kanë mbajtur trajnime me mësimdhënës në 25 komuna, dhe ka thënë se shkollat  tashmë po i mirëpresin këto pako. Ajo ka thënë se përdorimi i këtyre udhëzuesve mund të bëhen nga mësimdhënësit pa e cenuar planprogramin mësimor.

Kjo pako me libra udhëzues për sigurinë e fëmijëve në internet, këtë vit shkollor ka filluar të përdoret në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë.

Arlinda Islamaj, arsimtare dhe koordinatore e cilësisë në këtë shkollë, ka treguar se paraprakisht ka qenë pjesë e trajnimeve të organizuara nga Ministria e Arsimit, dhe se po planifikojnë t’i përdorin këta udhëzues në kuadër të një lënde zgjedhore.

“Meqenëse ne kërkesën për pakot e kishim bërë në qershor të vitit të kaluar, si lëndë zgjedhore, vetë ministri i Arsimit na njoftoi që kanë përgatitur pako të posaçme dhe që kërkesa jonë është e realizueshme. Ne kemi marrë pakot pasi u shpërndanë librat shkollor për këtë vit, gjithsej kemi marrë 204 pako, domethanë për klasat e pesta, dhe për klasat e pesta pakot janë të gatshme dhe ka filluar implementimi pothuajse që dy javë”, ka thënë Islamaj.

Ajo tha se nxënësit i kanë pritur mirë këtë material, dhe se prindërit e nxënësve të kësaj shkolle janë treguar bashkëpunues.

Skënder Halimi nga shkolla fillore  “Faik Konica” ka treguar se kanë marrë disa kopje dhe ka thënë se po planifikojnë fillimisht të organizojnë disa trajnime për stafin, dhe pastaj të fillojnë me përdorimin e këtyre udhëzuesve. Ai po ashtu ka thënë se edhe në lëndën e tij ka hapësirë për zbatimin e këtyre udhëzuesve.

“Përdorimi i internetit tanimë të jep mundësi të shumta jo vetëm për mësimdhënie dhe mësimnxënie, mirëpo, nxënësit tanë, fëmijët tanë, kohën ma të madhe e çojnë në internet duke shfletuar faqe ose duke luajtur lojëra që nuk iu hyjnë në punë atyre. Prandaj, koha kur ne po flasim, është koha ideale që të fillojmë ne si shkolla të punojmë në këtë drejtim”, tha Halimi për kp.

Ndryshe, pakot me libra udhëzues “Udhëtimi nëpër internet” tashmë janë shpërndarë në disa komuna të Kosovës dhe po ashtu ofrohen falas edhe në formatin elektronik, në faqen zyrtare të MAShT-it.