15:45 / E Enjte, 25 Shkurt 2021 / k.v

Përfaqësuesi turk në KQZ me akuza të rënda për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin (Video)

Numri i madh i votave në komunat me shumicë serbe për një subjekt rom dhe një tjetër boshnjak, nuk ka kaluar pa diskutim në mbledhjen e KQZ-së. Këtë temë e ka ngritur për diskutim përfaqësuesi i VV-së në këtë institucion, Sami Kurteshi.

Por, derisa po diskutohej kjo temë, përfaqësuesi i partisë së komunitetit turk në KQZ, Rifat Krasnic, ka ngritur një shqetësim që nuk është përmendur deri tani. Ai ka shpërthyer në akuza të rënda për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin.

Ndonëse ka folur në shqip me vështirësi, ai ka hedhur akuza të rënda në adresë të u.d. të presidentes, Vjosa Osmani dhe Albin Kurtit.

Sipas tij, këta të dy kanë mbështetur një tjetër subjekt politik nga ky komunitet, YTHP, që është formuar në vitin 2020.

“Zgjedhjet që po bëhen harro se na mund ta përfaqësojmë komunitetin tonë. Pse? Kur Vetëvendosje me Vjosa Osmanin vjen në Komunën e Mamushës dhe Vjosa Osmani thotë s’ka më duhet ndryshim, edhe fol në gjuhën turke, që e kanë formu atë partinë turke. Edhe Vjosa Osmani han pite, edhe Albin Kurti han pite, edhe s’ka më KDTP s’ka, duhet ndryshim. E tani çka mujm na me pritë tjetërsen”, tha Krasnic.

Ai është ngritur në këmbë dhe ka thënë se Vjosa Osmani ka kërkuar ndryshim në Mamushë, madje duke folur në turqisht.

“Ndryshim duhet me bo që KDTP-ja, komuniteti turk, kurrë s’ka me qenë ma n’Parlament. Një president kur fol atë fjalë tani çka mundemi na me pritë”.

Deri tani nuk ka ndonjë reagim nga u.d, e presidentes, zonja Osmani lidhur me këtë akuzë të komunitetit turk dhe as nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.