18:27 / E Shtunë, 22 Shtator 2018 / indeksADMonline

Përfundojnë tri ndeshjet e para në IPKO Superligë – rezultatet dhe tabela

3 ndeshje dhe po kaq fitore të skuadrave udhëtuese. E shtuna e elitës së futbollit kosovar nuk ishte me fat për ekipet pritëse, aq më tepër për Flamurtarin, që kishte befasuar në javët e para të IPKO Superligës së Kosovës, por që u detyrua të provonte humbjen e parë në shtëpi përballë Feronikelit. Skuadra nga Drenasi triumfoi me rezultatin 1-3, duke merituar edhe vendin e parë në renditje me 14 pikë. Hoti kaloi në epërsi miqtë në minutën e 13-të, ndërsa në fillim të pjesës së dytë barazoi përkohësisht Shillova, pasi Da Silva dhe Magani realizuan edhe dy gola të tjerë për Feronikelin, duke vulosur rezultatin në 1-3.

Rikthehet më në fund te fitorja Drenica, që iu imponua 2-4 KEK-ut jashtë fushës së saj. Abazi dhe Rexhaj kaluan në epërsi të dyfishtë miqtë në pjesën e parë, ndërsa Gashi shkurtoi përkohësisht në 1-2 diferencën. E ndërsa KEK-u po kërkonte golin e barazimit, Drenica shënoi dy herë me Dajakun dhe Ukën. Në minutën e fundit pati kohë për golin e dytë të KEK-ut, me autor Preniqin, por që vlejti vetëm për statistikë.

Edhe Llapi mori tri pikë në transfertë përballë Lirisë, pasi fitoi 2-3, rezultat që e ngjit në vendin e dytë me 13 pikë. Spikati në këtë përballje për llapjanët Alidemaj me një tregolësh, ndërsa për prizrenasit shënuan Fetahaj dhe Karahoda. /IndeksOnline/

KEK-u – Drenica 2:4