00:04 / E Mërkurë, 03 Janar 2018 / indeksADMonline

Përplasja për Kosovën në TV, analisti serb braktis debatin (Video)

Zyrtarë të Serbisë vazhdojnë në çdo mënyrë të mohojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Këtë e bëjnë sa herë që përmendet Kosova edhe pse janë të vetëdijshëm për realitetin.

Ata shkojnë aq larg, sa që, për shembull, Milovan Drecun, kryetar i të ashtuquajturit Këshill për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, thotë se në Prishtinë “nuk ka” ambasadorë të huaj!

Ky “konstatim” i Drecunit ka ngritur tensione dhe mospajtime të thella ndërmjet tij dhe Dushan Janjiqit, drejtor i Forumit për marrëdhënie ndëretnike në një debat televiziv në tv pink mbajtur ditë më parë.

“Ata nuk janë ambasadorë. Ata janë të ashtuquajtur ambasadorë pasi që ne nuk e kemi njohur të ashtuquajturin shtet të Kosovës. Dhe meqë është kështu, ata nuk kanë si të jenë ambasadorë”, ka thënë Drecun duke iu referuar deklaratave të ambasadorëve të huaj në Prishtinë rreth debateve të fundit për Gjykatën Speciale në Kosovë.

Janjiq e ka kundërshtuar Drecunin duke thënë se ata janë ambasadorë dhe kryepërfaqësues diplomatikë të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Pasi Drecun ka këmbëngulur në të veten, Janjiq e ka braktisur me protestë debatin duke thënë se “unë nuk jam parlamentar dhe nuk mund t’i pranoj këto konstatime”.