11:35 / E Diele, 07 Janar 2018 / indeksADMonline

“Po stërvitem mirë, shpresoj të jem në Australian Open”

Ditët e para në Melburn kanë qenë pozitive për tenistin spanjoll Rafael Nadal, që shpreson të jetë në grand slemin e Australian Open, që nis më 15 janar, Numri 1 në botë për meshkuj po stërvitet 3 orë në ditë, duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore dhe duket se është në formë të mirë. Nadal ka hequr dorë nga turnetë e tjerë përgatitorë për të qenë gati për grand slemin dhe duket se gradualisht po gjen formën e munguar prej disa muajsh për shkak të dëmtimit.

“Po përgatitem fort dhe për fatin e mirë kam ende kohë deri në startin e turneut. Kjo do të me japë mundësi të përgatitem ashtu si duhet, i përqendruar dhe pa u sforcuar. Kam besim se do të jem në startin e Australian Open dhe të luaj ndeshje me nivel të mirë. Po luaj sete të plota gjatë stërvitjes dhe shpresoj që të jem në kushtet e nevojshme për të bërë një ndeshje të plotë deri më 15 janar”, u shpreh Rafael Nadal, një nga tenistët e parë “big” që ndodhet në Melburn.

Temat: