17:40 / E Mërkurë, 25 Korrik 2018 / indeksADMonline

“Profa” as sot s’ishte te Llapi, kryesia thotë se ishte në fakultet

E ardhmja e trajnerit Bylbyl Sokoli është ende një pikëpyetje e madhe.

Sokoli në fund të stinorit 2017/18 firmosi kontratë një vjeçare me Llapin, por për shkak të disa “problemeve” flitet rreth një largimi të mundshëm ende pa zhvilluar ndonjë ndeshje.

“Kemi dallime konceptuale në organizmin tonë në klub. Këtu i kemi dallimet. Nëse nuk mundem me i realizu qëllimet e mia, nuk do të jem më në klub”, ka thënë Sokoli për IndeksOnline një ditë më parë.

Trajner i spikatur kosovar ka dy ditë që mungon në stërvitjet e klubit llapjan dhe kjo ngjallë edhe më shumë dyshime rreth largimit të tij drejt skuadrës së Ferizajit, e cila thuhet se është favorite.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe me presidentin e KF Llapit, Nexhat Dumnica, i cili ka mohuar një largimin të mundshëm të Sokolit, duke thënë se trajneri ishte i zënë në fakultet në mbrojtjen e temës të disa studentëve.

“Jo, profa ka qenë i angazhuar me punë këto dy ditë në fakultet në mbrojtjen e temës së disa studentëve. Klubi ka edhe zëvendëstrajner dhe stafin ndihmës me të cilët kemi zhvilluar stërvitjen. Profa ka edhe një vit kontratë dhe me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër. Lajmet për largimin e tij janë të pavërteta”” deklaron Dumnica.