11:45 / E Enjte, 23 Gusht 2018 / indeksADMonline

Projektligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta do të kaloi, greva nuk ka

Nxënësit e Kosovës mund të përballen sërish me ndërprerje të mësimit pasi Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar për grevë të mundshme të mësimdhënësve.

Një gjë e tillë është paralajmëruar nëse kërkesat e tyre nuk realizohen deri në muajin tetor të këtij viti.

Sindikata kërkon që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në vitet 1990-91 e deri në vitin 1998-99 të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për lexim të dytë dhe të votohet, duke kërkuar poashtu e dhe ndryshimin e Projektligji për Pagat.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar nënkryetaren e Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Teuta Haxhiu.

Haxhiu është shprehur e bindur se Projektligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta do të votohet në seancat e para të Kuvendit të Kosovës pas përfundimit të pushimit vjetor.

Madje Haxhiu është shprehur e bindur se nuk presin as që të ketë grevë duke kërkuar besimin dhe mirëkuptimin e Sindikatës për Arsim si dhe vetë mësimdhënësve.

“Ne si Komision kemi punu në këtë Projektligj madje dy ditë kemi punuar vazhdimisht dhe tani është koha e pushimit dhe shpresoj që në fillim të shtatorit do të vazhdojë sërish puna.Është klima e përbashkët e deputetëve që ky ligj të kalojë dhe jam shumë e vendosur unë personalisht megjithatë shpresoj shumë që të përfundojë. Ka pasur tendenca të shumta që ky ligj të politizohet dhe në njëfarë mënyrë shpesh e kanë bërë të duket i tillë.Pra, kemi mbledhur mjaftueshëm shumë informata dhe ajo që më së shumti më ka munduar  gjatë gjithë kësaj kohe është politizimi  dhe tendenca që të qohet krejtësisht në drejtim të kundërt.Pra ligji ka të bëjë me punëtorët e viteve të 90-ta, të arsimit shqip pra të mos flitet për kategoritë e tjera.Ne këtë fokus e kemi dhe do të punojmë për këtë ligj. Në Komisionin për Arsim jemi të gjithë duke u munduar për këtë ligj dhe jemi shumë të vendosur  që të kalojmë ligjin dhe të bëhet i zbatueshëm”,ka thënë Haxhiu.

Sipas saj Projektligji do të kalojë pasi edhe deputetët e të gjitha partive politike tashmë janë bindur se duhet votuar dhe se Projektligji duhet të jetë funksional.

“Por është një realitet që shifrat nuk janë ashtu siç flitet, pasi ka pasur deklarime të ndryshme edhe nga Ministria e Financave por në fund jemi në rrugë të mbarë për ta përfunduar këtë ligj.Jam shumë e sigurt për këtë. Pra, lus të gjithë punëtorët e arsimit, lus edhe sindikatën për mirëkuptim ngase komisioni nuk është ndalë në asnjë moment. Dhe mendoj se ky ligj do të kalojë pasi mendoj se nuk ka arsye të tjera që të ndalohet. Ne si komision do të punojmë por jo me ata që mundohen ta drejtojnë ligjin në diçka  të kundërt, fatkeqësisht e di se kjo shkon edhe nga individë të caktuar brenda subjekteve politike por unë e di se nga të gjitha partitë politike është kërkuar ky projektligj.Besoj se do të jetë në seanca te para që nga fillimi i punës pas pushimeve pasi neve si komision nuk na duhet më shumë se dy ditë”, ka shtuar Haxhiu.

Sipas saj vonesa për mos-ratifikimin e këtij Projektligji është e paarsyeshme.

“Nuk pres që do të ketë greva dhe  e shfrytëzoj mediumin e juaj që t’u bëjë thirrje Sindikatës por edhe të gjithë punëtorëve  të arsimit shqip që t’u tregojë se jemi zëri i tyre dhe se me shumë siguri re them se ky ligj do të kalojë pasi kam edhe mbështetjen e plotë të kryeministrit Ramush Hardinaj.Po punohet për një ligj të zbatueshëm, pas një vonese të gjatë dhe të paarsyeshme që është bërë për të gjithë punëtorë te arsimit të asaj kohe. Në atë kohë jo vetëm që është mbajtur arsimi shqip por është zhvilluar”, ka përfunduar Haxhiu.

Duhet përkujtuar që Ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta  ka kohë që është duke u zvarritur përderisa shpesh herë pati edhe ndërprerje të mësimit në shkolla të Kosovës nga paralajmërimet e Sindikatës për Arsim, Shkenca dhe Kulturë për plotësimin e kërkesave të tyre./Indeksonline/