14:20 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Prokuroria s’ka gjetur prova se Hashim Thaçi ka kryer tradhti kombëtare kur ka nënshkruar demarkacionin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal për “tradhti kombëtare” të ushtruar nga deputeti Sami Kurteshi ndaj Hashim Thaçit, në cilësinë e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm.

Deputeti Kurteshi pretendonte se me nënshkrimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, mes Thaçit dhe ministrit të Jashtëm të vendit fqinj, Igor Luksiq, i pari kishte kryer tradhti ndaj vendit, njofton Klan Kosova.

Në arsyetimin e vendimit është cekur se kallëzimi penal nuk mund të vërtetohej, meqe Thaçi në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes nuk ka pasur postin e presidentit të republikës.

Sipas vendimit të nënshkruar nga Sylë Hoxha, pas shqyrtimit të të gjithë materialit, nuk gjetur në asnjë pikë ndonjë shkelje që do të mund të vërtetohej dhe si i tillë kallëzimi penal është hedhur poshtë.