75 Mall Live Search
19:43 / E Mërkurë, 17 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pronarët e skuadrave të Premierligës dhe veprimtaria e tyre

Bisedimet mes njeriut të dytë që komandon Arabinë Saudite, Princit të Kurorës, Mohamad bin Salman dhe Manchester United për blerjen e klubit nga familja Glazer, kanë rikthyer edhe njëherë temën e ekuilibrave në futbollin anglez. Pasuria e Bin Salmanit është rreth 850 miliardë paund, ndërsa një ofertë që do të merrej parasysh nga pronarët amerikanë, do të duhet të niste nga mbi 3 miliardë paund, e cila është vlera aktuale e aksioneve aktuale të familjes Glazer.

Bashkëpresidenti i “djajve”, Avram Glazer, do të jetë i pranishëm në Konferencën e Investimeve të Ardhshme dhe Sipërmarrjes, e cila do të mbahet në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, javën e ardhshme, së bashku me bankierë dhe investitorë të rëndësishëm nga i gjithë globi. Nëse familja do të binden për ta shitur klubin, atëherë kjo do të çimentonte statusin e United si një prej superfuqive të futbollit botëror. Por, kush i drejton klubet e tjera të Premier Ligës?

ARSENAL:

STAN KROENKE,

SHBA (6.5 mld £)

Stan Kroenke bleu edhe aksionet e bashkaksionarit Alisher Usmanov këtë vit, duke marrë kontrollin e plotë të Arsenalit. Ai është një manjat i pasurive të paluajtshme dhe zotëron një portofol me klube sportive, kryesisht në SHBA. Ai është pronari i Los Anxhelos Rams, Denver Naxhets, Kolorado Avalansh dhe Kolorado Repids.

Bournemouth:

MAKSIM DEMIN,

RUSI (100 mln £)

Pak informacion ka për pronarin rus të Bornmëthit, por ai jeton në Zvicër dhe pasi bleu një pjesë të aksioneve në vitin 2011, mori kontrollin e plotë të klubit dy vite më vonë. Ai zotëron dy kompani në Sërej, njëra prej të cilave, “Wintel Petrochemicals”, i ka dhënë një hua prej 7.8 milionë sterlinash Bornmëthit.

Brighton:

Tony Bloom,

BRITANI (1 mld £)

Pronari i Brajtonit e ka vënë pjesën më të madhe të pasurisë së tij në tavolinat e pokerit, duke qenë një lojtar profesionist. Ai ka investuar më shumë se 200 milionë paund në klubin e Saseks, ku gjyshi i tij ishte zv/president në vitet 1970.

Burnley

Mike Garlick,

BRITANI (57 mln £)

Skuadra e “Turf Moor” ka Majk Garlik si aksionar kryesor, por edhe Xhon Banaszkievicz si bashkëpronar. Paratë e tij vijnë nga zyra e konsulencës së tij të menaxhimit, “Michael Bailey associates”.

Cardiff:

Vincent Tan,

MALAJZI (622 mln £)

Pronari kontrovers i Kardifit, Vinsent Tan, e ka vendosur pasurinë e tij përmes metodave të ndryshme, nga pronat te kumari, por edhe shërbimi i telefonisë së lëvizshme në Malajzi.

Chelsea:

ROMAN ABRAMOVIC,

RUSI (8.8 mld £)

Blerja e Çelsit nga Roman Abramoviç në vitin 2013, e ktheu peizazhin e futbollit në Britani me kokëposhtë. Paratë e rusit vijnë nga aksionet në kompaninë e çelikut “Evraz”, ndërsa ai shiti 73 për qind të kompanisë së tij të naftës “Sibneft” për 13 miliardë dollarë (9.9 miliardë paund) në vitin 2005.

Cristal Palace

STEVE PARISH,

BRITANI (45 mln £)

Presidenti Stiv Perish shiti kompaninë “TAG Worldwide” në vitin 2011, rreth një vit pasi mori kontrollin e klubit të Palas për t’i shpëtuar nga falimenti. Xhosh Herris dhe Dejvid Blicer u bënë bashkëpronarë në 2015, pasi u pranua oferta e tyre prej 50 milionë paundësh.

EVERTON:

FARHAD MOSHIRI,

IRAN (1.3 mld £)

Farhad Moshiri ishte një partner biznesi i ish-bashkëpronarit të Arsenalit, Alisher Usmanov. Ai ka aksione në industrinë minerare ruse dhe kompaninë e çelikut “Metalloinvest”. Mori drejtimin e klubit të “Goodison Park” në shkurt 2016.

FULHAM:

SHAHID KHAN,

SHBA (5.3 mld £)

Shahid Khan e vuri pasurinë e tij, duke dizenjuar parakolpe kamionësh, pasi bleu furnizuesin e pjesëve të këmbimit “Flex-N-Gate”. Ai bleu Xheksonvill Xhaguars në vitin 2012 dhe Fulhamin një vit më vonë dhe aktualisht është duke negociuar për të blerë stadiumin “Wembley”.

Hudersfield:

Dean Hoyle,

BRITANI (365 mln £)

Din Hojl është themeluesi i rrjetit të dyqaneve të dhuratave “The Card Factory” dhe president dhe aksionar kryesor i biznesit stacionar të shitjeve me pakicë “The Works”.

Leicter City:

FAMILJA SRIVADHANAPRABHA,

TAJLANDË (3.7 mld £)

Vikai Srivadhanaprabha zotërojnë kompaninë “King Power”, e cila është operatori lider i dyqaneve “duty free” në Tajlandë. Ai e themeloi kompaninë në vitin 1989 dhe pasi bleu “dhelprat”, siguroi edhe aksionet e klubit belg, OH Leuven.

Liverpool:

John W Henry,

SHBA (1.9 mld £)

Xhon Henri, së bashku me Ton Verner, ndërtuan një perandori sportive përmes “Fenway Sports Group”, pasi e vunë pasurinë përmes një firme tregtie. Ata zotërojnë klubin ikonë të bejsbollit, Boston Red Soks dhe Liverpulin, që e blenë në 2010. Henri bleu edhe gazetën “The Boston Globe” në 2013.

Manchester City

SHEIKU MANSUR,

EBA (17 mld £)

Pas blerjes së klubit blu të Mançesterit në vitin 2013, sheiku Mansur hodhi mbi 300 milionë sterlina për ta kthyer në ikonë botërore. Pasuria e tij individuale llogaritet të jetë rreth 17 miliardë sterlina, por thuhet se pasuria e familjes së tij i afrohet 1 trilioni paund.

 

Manchester United:

FAMILJA GLAZER,

SHBA (4.5 mld £)

Malkolm Glejzër udhëhoqi blerjen e Mançester Junajtid në 2005, por djemtë e tij, Xhoel dhe Avram, morën drejtimin e klubit, pasi ai pësoi një hemorragji cerebrale një vit më vonë. Pasuria e tij u vu prej shitjes së pasurive të paluajtshme në SHBA. Përveç Junajtid ata zotërojnë edhe klubin e NFLsë, Tampa Bej Bëkanirs.

Newcastle:

Mike Ashley,

BRITANI (2.4 mld £)

Majk Eshli themeloi kompaninë e veshjeve sportive “Sports Direct” në vitin 1982, kur ishte vetëm 18 vjeç. Ai bleu Njukasëllin në 2007. SAUTHEMPTON: GAO JISHENG, KINË (1.4 mld £) Themeluesi i “Lander Sports Development” bleu 80 për qind të aksioneve të klubit jugor në 2017 për 210 milionë sterlina. Kompania e tij ndërton stadiume në Kinë.

TOTTENHEM:

XHO LJUIS,

BRITANI (3.8 mld £)

Presidenti Daniel Levi është fytyra e klubit të Londrës Veriore, por pronari i Spërsave është miliarderi britanik, Xho Ljuis. Ai e vuri pasurinë e tij, duke shitur biznesin e babait, “Tavistock Banqueting”, në 1979, përpara se t’i hynte biznesit të valutës.

Watford:

XHINO POCO,

ITALI (120 mln £)

Xhino merret me menaxhimin ditor të Uotfordit, pasi babai i tij, biznesmeni Xhampaolo, bleu klubin në qershor 2012. Poco Senior zotëron edhe klubin e Udinezes në Itali dhe kishte në pronësi edhe atë spanjoll, Granadën.

West Ham:

DEJVID SALIVAN DHE DEJVID GOLD,

BRITANI (1.5 mld £)

Dejvid Gold zotëron kompaninë e veshjeve intime dhe lodrave të seksit “Ann Summers”, ndërsa Dejvid Salivan e ka vënë pasurinë e tij përmes industrisë së pornografisë. Dyshja bleu Birmingemin në vitin 1993 dhe e shitën në 2009. Një vit më vonë, ata blenë 50 për qind të aksioneve të Uest Hemit.

Wolves:

FOSUN INTERNATIONAL,

KINË (5.2 mld £)

Kompania kineze e investimit “Fosun” bleu Uolverhemptonin në korrik 2016 dhe e rikthyen në Premier Ligë. Gui Guangçang, kreu i “Fosun”, ka gjithashtu investime në kompani minerare, turizëm dhe farmaceutikë.

 

Temat: