18:32 / E Mërkurë, 27 Qershor 2018 / indeksADMonline

Pronari i kafeterisë në Bujanoc akuzon pushtetin lokal për dëmtim të biznesit, Komuna e thotë të kundërtën

Në sheshin e komunës së Bujanocit janë nëntë lokale të cilat veprojnë si kafeteri, tetë prej të cilave thuhet të jenë në pronësi të shqiptarëve dhe një tjetër në pronësi të një serbi. Pronari i njërës prej kafeterive me pronar shqiptar, është ankuar se pushteti lokal ia ka bërë të padrejtë biznesit të tij duke ia larguar terasen.

Reshat Ajdini, pronar i ‘Avenue Lounge Bar’ ka deklaruar se atij po i bëhet padrejtësi nga ana e Komunës së Bujanocit saktësisht nga partneri i koalicionit, Stojanca Arsic.

“Sot më është dhënë urdhri për largimin e terasës së montuar thuajse 2 muaj më parë. Pushteti përbëhet në koalicion me serbët ndërsa po dëmtohen bizneset shqiptare”, ka thënë Ajdini.

Ai gjithashtu ka deklaruar se në të njëjtin vend në shesh në afërsi të lokalit të tij gjendet edhe kafeteria tjetër, pronari i së cilës është serb.

Ajdini ka deklaruar se serbit nuk i është dhënë një urdhër i tillë përderisa terasa e lokalit ‘Avenue Lounge Bar’ është larguar nga kompetentët.

“Unë me urdhër të kryetarit dhe të shefit të urbanizmit e kam ndërtuar pra më kanë dhënë leje. Por për shkak të kërcënimit të partnerit të koalicionit Stojanca Arsic, kryetari Shaip Kamberi mori masa për rrënimin e terasës sime”, ka thënë Ajdini.

Lidhur me gjithë këtë deklarim, Indeksonline ka kontaktuar edhe Komunën e Bujanocit.

Rahim Salihi, shef i kabinetit të kryetarit të komunës, Shaip Kamberi ka thënë se një gjë e tillë nuk është siç është raportuar nga qytetari në fjalë, duke treguar edhe se të gjithë këto lokale shfrytëzojnë hapësirën e lejuar publike gjatë sezonit të verës në bazë të kërkesave të paraqitura nga vetë pronarët.

“Shfrytëzimi i hapësirave publike në Komunën e Bujanocit është i rregulluar me vendim të kuvendit komunal. I njëjti vendim rregullon edhe shfrytëzimin e hapësirës publike për terasa të hapura dhe te mbyllura të kafeterive, objekteve hotelierike , restoranteve. Në Sheshin e qytetit të Komunës së Bujanocit veprojnë 9 kafeteri prej të cilave 8 janë pronarë shqiptarë dhe 1 pronar serb. Të gjithë objektet e lartpërmendura shfrytëzojnë hapësirën e lejuar publike gjatë sezonit të verës në bazë të kërkesave të paraqitura nga vetë pronarët.  Të njëjtat, Komunës së Bujanocit, në nivel mujor i paguajnë shumën e caktuar, varësisht metrave katrorë të cilat i shfrytëzojnë, e në bazë të çmimores, të cilat i cakton shërbimi përgjegjës”, ka thënë Salihi.

Ndër të tjerash ai ka deklaruar se kafeteria “Avenue”, përveç që shfrytëzon hapësirën e lejuar publike, pa pëlqim të Komunës së Bujanocit,  me datë 12.05.2018, ka vendosur  terasë edhe në  hapësirën e gjelbëruar publike e që është e ndaluar me vendim të kuvendit komunal. Më pas shërbimi i inspekcionit komunal ka kryer inspektimet dhe me datë 14.05.2018 dhe ka urdhëruar që e njëjta të largohet nga vet pronari i kafeterisë.

“Pronari i kafeterisë, me datë 21.05.2018 i është drejtuar me shkrim shërbimit tonë të inspekcionit ku ka kërkuar afat shtesë prej 3 ditëve duke u zotuar se terasën do t’a largoj vet. Duke dashur që t’i dalim në ndihmë, Komuna e Bujanocit ka rënë dakord që t’i përgjigjet pozitivisht dhe që terasa të hiqet nga vet pronari. Pasi që një gjë e tillë nuk ka ndodhur, Shërbimi i inspekcionit ka sjell vendim të ri me të cilin është caktuar heqja e terasës me datë 12.06.2018.  E njëjta, me kërkesë të pronarit dhe me zotimin se do ta largojë terasën, është shtyrë edhe për një javë. Dhe pas kalimit të të gjitha afateve, Komuna e Bujanocit, nëpërmjet shërbimeve të saja përgjegjëse, është detyruar që të largoj objektin e lartpërmendur, në mënyrë që në radhë të parë të respektoj vendimin e Kuvendit dhe të ruaj hapësirën e gjelbëruar publike”, ka përfunduar Salihi.

Gjithashtu është bërë e ditur se është larguar vetëm pjesa e teracës e cila gjendet në hapësirën e gjelbëruar dhe se kafeteria ‘Avenue Lounge Bar’ vazhdon të shfrytëzojë, pa pengesë, edhe pse nuk paguan kompensimin për këtë, teracën e cila është vendosur në pjesën e betonuar të sheshit të Bujanocit./Indeksonline/