12:39 / E Premte, 23 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Protestuesit kërkojnë të votohet demarkacionit

Derisa në Kuvendin e Kosovës zhvillohej seanca e jashtëzakonshme për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, një numër i vogël i qytetarëve kanë protestuar para Kuvendit duke kërkuar që të votohet marrëveshja e demarkacionit.

Kjo protestë e thirrur nga “Fondacioni i Kosovës për Inovacione” dhe disa OJQ të tjera kanë kërkuar përmes pankartave të tyre që të zhbllokohen qytetarët e Kosovës.

Organizatori i kësaj proteste, Bashkim Fazliu ka kërkuar nga ndërkombëtarët që edhe deputetëve t’iu pamundësohet lëvizja drejtë Bashkimit Evropian.

Ai tha se udhëheqësit e Kosovës po bëjnë eksperiment me shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

“Kërkojmë edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare edhe nga BE-ja që edhe këtyre deputetëve të ua pamundësojë lëvizjen në BE. Nëse ne si qytetarë të Kosovës e kemi të pamundur të lëvizim lirshëm në BE, atëherë mos të lëvizin edhe këta derisa ta marrin vendimin, i cili është vendim i drejtë, i cili është vendim në interes të qytetarëve të Kosovës. Ne edhe mbrëmë e kemi bërë një sondazh ku 75 për qind të qytetarëve të Kosovës, janë pro votimit të demarkacionit … Konsiderojmë se është duke u bërë një eksperiment me Kosovën, janë duke u sjellë me neve si me minj të bardhë, duke na bllokuar, kur të gjithë të tjerët lëvizin lirshëm, ecin lirshëm, zhvillohen lirshëm”, tha ai.

Fazliu po ashtu kërkoi nga politikanët që t’i lënë interesat vetjake dhe të fokusohen në obligimin e tyre, që është puna në interes të qytetarëve.

Kurse, Islam Krasniqi i ka quajtur kriminel e banditë ata që nuk po e votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Nuk janë punëtorë të Ramiz Sadikut dhe Trepçës, se moti e kishin votua këtu, këta janë kriminel janë bandita , janë pa shkollë, janë pa dinjitet njerëzor së pari”, tha ai.

Ndërsa, i moshuari Enver Haxhiu, i cili kishte dal të protestonte para Kuvendit të Kosovës, fajtor kryesor për mos heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës i ka konsideruar krerët e shtetit.

Ai ka aluduar se nëse nuk votohet demarkacionit brenda këtyre ditëve, liberalizimi i vizave asnjëherë nuk do të ndodhë.

“Na sidomos pleqtë, sivjet shkova në Ambasadë të Zvicrës, tri orë prita me marrë një vizë, kur hyra brenda tha si ke pru dokumentet, i thash qysh si kam pru që 10 herë shkoj në Zvicër, me tha dil jashtë. Sa do presim na nëpër Ambasada të Zvicrës? Na pleqtë a duam me arritur ditën për me u heq vizat ? Mos heqshim këto dy ditë kemi me i harru vizat që na i hekun. Kush është fajtor, janë këta brenda që po e udhëheqin Kosovën” ,tha ai.

Gjatë kohës sa ishte duke u mbajtur protesta, derisa në Kuvend po hynte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti një nga protestuesit e ka gjuajtur atë me vezë.