21:35 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Qëndrimi i Listës Serbe në Qeveri, ende i pa finalizuar

Që nga fundi i muajit mars, Lista Serbe ka braktisur Qeverinë e Kosovës, duke ndërruar edhe ulëset në Kuvendin e Kosovës për të dalë në ulëset afër opozitës.

Megjithëse ka kaluar një muaj, Qeveria e Kosovës  edhe pa Listën Serbe po vazhdon punën normalisht.

Në përgjigjet e dhëna nga Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës në disa raste,  është thënë se pritet që Haradinaj të takohet me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të finalizohet qëndrimi dhe roli i tyre në Qeveri.

Mirëpo, një gjë e tillë duket se ende nuk ka ndodhur.

Indeksonline ka tentuar përsëri të marrë një përgjigje nga kjo zyre, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur fare.

Njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova në një prononcim për Indeksonline ka thënë se kjo Qeveri as tash, por as me kthimin e Listës Serbe nuk ka kapacitet të funksionimit.

Sipas tij, kthimi i Listës Serbe nuk do të jetë zgjidhje, porse, zgjidhja e vetme është arritja e një konsensusi për një Qeveri me bazë të gjerë.

“Kjo është një Qeveri e pakicës, madje edhe me Listën Serbe nuk ka arritur ta sigurojë një mazhorancë solide. Zgjidhja e vetme është arritja e një konsensusi për një Qeveri me bazë të gjerë, e cila do kishte mandat të përkufizuar programatik dhe kohore. Kjo Qeveri do kishte një platformë të përbashkët lidhur me ushtrinë, negociatat përfundimtare me Serbinë, proceset integruese dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Pra një Qeveri me mandat 1 vjeçar, synimi i së cilës do ishte realizimi i reformave rrënjësore legjislative të cilat do duhej ta stabilizonin sistemin tonë politik  në të ardhmen”, ka thënë Sallova.

Më tej ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për reformë kushtetuese dhe për reformën zgjedhore.

“Kosova ka nevojë për reformë kushtetuese, reformën zgjedhore etj., në mënyrë që të shmanget destabiliteti që e ka karakterizuar vitet e fundit. Kjo qeveri aktuale as nuk ka fuqi politike e as nuk ka dëshmuar kapacitet qeverisës për t’i çuar këto procese përpara”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, Indeksonline pati kontaktuar edhe me përfaqësuesit e opozitës, për mundësinë që këta ti bashkohen koalicionit qeverisë, në rast se nuk kthehet Lista Serbe.

Mirëpo, të njëjtit janë deklaruar se nuk do kalonin në pozitë, duke u bërë pjesë e kësaj Qeverie.

Ata shtuan se zgjidhje e vetme për situatën e krijuar në vend, janë zgjedhjet e reja.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka deklaruar se e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë janë zgjedhjet e reja.

“LDK, zgjidhje të vetme për dalje nga kjo situatë e sheh me zgjedhjet e reja, qoftë me një marrëveshje paraprake me subjektet tjera politike opozitare dhe opozitare, me caktimin e një datë për zgjedhje ose me mocion mosbesimi ndaj Qeverisë”, ka thënë Beqiri.

Kosovës i nevojiten ndryshimet. Ndryshimi demokratik bëhet kur opozita e deritanishme bëhet qeveri nga zgjedhjet e reja. Vullneti që qytetarët kanë shprehur me vota në qershorin e vitit 2017 nuk pasqyrohet te kjo qeveri. Kushtet tona për bashkëpunim dihen, ato janë programore dhe kanë të bëjnë me largimin e personave të dyshuar për korrupsion apo krime nga Qeveria, por këto kushte vijnë në shprehje vetëm për koalicione parazgjedhore apo paszgjedhore, e jo për të mbajtur në pushte një Qeveri në mes të mandatit të saj, e cila qeveri tashmë i ka bërë shumë dëme vendit me punën e saj”, është shprehur Aliu.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe kishin vendosur të largoheshin nga koalicioni qeverisës, pas arrestimit në veri të Mitrovicës, të drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq./Indeksonline/