14:27 / E Enjte, 19 Janar 2023 / S Z

QKMF-të pa infuzione e barna, Komuna thotë se nuk i furnizoi MSH-ja

Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) janë duke u përballur me mungesën e barnave esenciale. Nëpër QKMF mungojnë pjesa më e madhe e barnave nga Lista esenciale si Dexason, Brufen e Infuzione dhe se pacientët që marrin trajtim në këto qendra, duhet që vet t’i blejnë barnat dhe materialet për të marrë një injeksion apo infuzion, pasi që këto u mungojnë këtyre qendrave.

E nga Komuna e Prishtinës thonë se kjo mungesë ka ardhur si pasojë e mos furnizimit nga ana e MSH-së me barnat e Listës Esenciale.

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku tha për “IndeksOnline” se Ministria e Shëndetësisë do të duhej t’i sigurojë njëqind përqind të barnave të Listës esenciale, por këtë nuk po e bënë. Sipas tij MSH-ja edhe vitin e kaluar i ka siguruar vetëm 35 për qind të barnave të Listës esenciale, përqindje kjo e cila është shumë e ulët.

 “Mungesat janë se furnizimi i MSH-së është shumë i mangët, vetëm 35 për qind. Ne e kemi pasur një kontratë për tri vjet për barna. Nëse vazhdon ky trend për një vjet kemi me i shpenzuar,  sepse krejt ato që po mungojnë prej MSH-së,  po duhet me i ble vet “, tha ai.

Ndërsa thotë se mungesa e barnave po shkaktohet pasi që komuna nuk guxon të blejë barna, pa e marrë përgjigjen nga MSH për furnizim.

“Ne kemi kërkuar nga MSH të na furnizoj, ne s’kemi të drejtë me ble asgjë derisa të na kthej përgjigjen MSH-ja se me cilat barna do të na furnizojë, e cilat jo. Kur ne i shohim mungesat nga MSH fillojmë me i ble. Neve këtë javë na ka ardhur furnizimi prej MSH -së, këta tonët e kanë parë që s’ka “Dexason” dhe e kanë porositë, se e kemi një kontratë me një kompani për me ble dhe se këto dy ditë furnizohemi”, tha ai.

E shefi i Barnatores Qendrore Fatos Aliu tha se mungesat e tilla të barnave zakonisht ndodhin për shkak të festave të fund vitit dhe mosfunksionimit të sistemit, ku duhet të bëhet kërkesa për furnizim. Por thotë  se kjo po  ndodh dhe për shkak të mos furnizimit nga ana e ministrisë me barnat e listës esenciale.

“Sistemi që mbikëqyret prej MSH-së, e ka filluar punën me datë 11. Ne e kemi realizuar kërkesën për furnizim me 11. Kjo ndodh vetëm në janar,  sepse muajt e tjerë e kemi me 01 hapet mundësia e furnizimit e kërkesës dhe  furnizimi bëhet çdo herë, ne furnizohemi javën e parë të çdo muaji. Për shkak të festave, ka qenë kjo.  Ministria nuk na ka furnizuar edhe pse  ne e kemi bërë kërkesën për furnizim si “Dexason” dhe shumë produkte tjera, nuk jemi furnizuar prej ministrisë. Furnizimin e kemi realizuar me datën 16 janar dhe kërkesën për blerjen e barnave, të cilat nuk na i ka siguruar MSH-ja e kemi bërë  përmes kontratës që është aktive prej Komunës së Prishtinës me datë 17 dhe presim që furnizimin ta pranojmë sot”, tha ai.

Ndërkaq thotë se Ministria e Shëndetësisë për këtë muaj i ka furnizuar me vetëm 36 për qind të barnave, e që është një përqindje shumë e ulët.

“Përqindja e furnizimit  prej MSH-së me produkte, ampulare tabletare, diklofen dhe infuzione, në këtë muaj është vetëm 36 për qind, që është shumë pak. Ne sot e pranojmë “Dexason” dhe besoj shumë që ne sot do të realizojmë dhe furnizimin e QKMF me këto lloj të ampulave dhe shumë të tjera, që s’jemi furnizuar nga MSH-ja”, tha ai.

Megjithëse “IndeksOnline” i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë, rreth mos furnizimit të QKMF-ve me barna nga Lista Esenciale, nuk ka marrë një përgjigje nga ta. /IndeksOnline/