Ripërsëritë presidenti Thaçi: Korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi vazhdon të mbrojë idenë e tij për korrigjim të kufirit të Kosovës me shtetin serb.
Përmes një postimi në Twitter, Thaçi ka deklaruar se propozimi i tij për një zgjidhje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë është i qartë.
“Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë; nuk ka ndarje përgjatë vijave etnike, por në rregullimin e kufirit dhe në njohje reciproke”, ka thënë Thaçi, transmeton Indeksonline.
Por Thaçi është munduar të sqarojë idenë e tij kur flet për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.
Thaçi ka thënë se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve.
Presidenti i Kosovës ka insistuar vazhdimisht se Kosova duhet të adresojë kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën në dialogun me Serbinë.
“Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit”,kishte thënë Thaçi./Idneksonline/