20:03 / E Shtunë, 27 Shkurt 2021 / OSH

Rruga tranzit e shkatërruar në Shtime – s’ka buxhet për të intervenuar

Rruga tranzit që lidh Shtimen e Prizrenin është në gjendje të mjerueshme tash e sa kohë.

Gropa të mëdha dhe asfalti i prerë në disa pjesë të kësaj rruge janë sfidat që përballen vozitësit e kësaj ane.

Qarkullimi i veturave në këtë pjesë është tejet i vështirë, ku disa  qytetarë janë ankuar se u janë dëmtuar edhe gomat, shkruan IndeksOnline.

Duke parë që kjo rrugë është në gjendje të njëjtë, një qytetar ditë më parë kishte marrë vetiniciativë për të rregulluar sado pak atë.

Ai kishte ngarkuar një gomar me zhavorr për t’i mbuluar gropat e mëdha.

IndeksOnline ka kontaktuar me drejtorin e Shërbimeve Publike në komunën e Shtimes, Hamëz Tërshani, për të pyetur se kur do të rregullohet kjo rrugë.

Në një përgjigje për IndeksOnline, Tërshani ka thënë se ka marrë premtime nga Malë Lokaj nga Ministria e infrastrukturës, si përgjegjës i rrugës, se do të shikojnë mundësinë për të intervenuar.

Tërshani tha se investimi në këtë rrugë nuk është bërë ende për shkak të buxhetin për arsyeje të pandemisë.

“Kjo rrugë është investim dhe në mbikëqyrje të Ministrisë së Infrastrukturës dhe unë personalisht kam biseduar disa herë me Malë Lokaj, mbikëqyrës i rrugëve dhe më ka njoftuar se do të dalin në terren dhe të shikojnë mundësinë për të intervenuar, por sipas tij kanë problem edhe me buxhetin për arsyeje të pandemisë”, ka thënë ai.

Tërshani thotë se si komunë janë shumë të interesuar që të intervenohet sa më parë në këtë pjesë të rrugës pasi që është në gjendje të keqe. /IndeksOnline/