17:39 / E Diele, 11 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Rusi: Konfirmohet vdekja e 71 vetëve nga rrëzimi i aeroplanit

Një aeroplan vendës i udhëtarëve në Rusi është përplasur pak kohë pasi është ngritur nga një aeroport i Moskës, me ç’rast janë vrarë të 71 personat që gjendeshin në të, thanë autoritetet e Rusisë.

“65 udhëtarë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit ishin në aeroplan dhe të gjithë ata kanë vdekur”, ka njoftuar sot Zyra e Rusisë për hetime në transport.

Aeroplani i tipit, Antonov An-148, i kompanisë Saratov Airlines, është zhdukur sot nga radarët, derisa ishte duke fluturuar nga aeroporti Domodedovo në Moskë për në Orsk të Uralit, ka raprotuar agjencia Interfax.

“Aeroplani është përplasur afër fshatit Argunovo”, më se 80 kilometra në juglindje të Moskës, ka raportuar Interfax, duke e cituar një burim të shërbimeve të emergjencës.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha se presidenti “u ka shprehur ngushëllime të thella atyre që i kanë humbur të afërmit në këtë përplasje”.

Kanali televiziv shtetëror rus, Rossiya-24, ka transmetuar pamje të copave të aeroplanit në një terren të mbuluar me borë, ndërsa në afërsi nuk janë parë ndërtesa.

Ministria e situatave emergjente e Rusisë tha se janë gjetur trupat e pajetë dhe pjesë të mbetjeve në vendin e përplasjes.

Njëri prej regjistruesve të fluturimit (kutia e zezë) është gjetur, kanë thënë zyrtarët.