20:49 / E Enjte, 29 Nëntor 2018

S’do e pranojmë cenimin e sovranitetit nga Serbia

Shkruan: Ramush Haradinaj

Vendit tim, Kosovës, po i kërkohet të bëjë një zgjidhje të pamundur, e cila do ta zbehte sakrificën e bërë nga ushtarët e Shteteve të Bashkuara, e cila do ta dëmtonte stabilitetin e rajonit, dhe e cila do të rrezikonte aleatët e Amerikës. Përballë sulmit të vazhdueshëm nga Serbia, që ka për qëllim të cenojë sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin tonë, janë disa që duan që Kosova të angazhohet në të ashtuquajturin spastrim “paqësor” etnik në Ballkan. Kjo është një përpjekje jolargpamëse, për t’iu nënshtruar ngacmuesit, me shpresë se ngacmimet do të ndalen. Ne nuk do ta bëjmë këtë – përkundrazi, ne do të ngrihemi kundër atyre që duan të na shfrytëzojnë, duke punuar në të njëjtën kohë për një marrëveshje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse.

Pas një fushate terrori e gjenocidi, Kosova fitoi pavarësinë e saj nga Serbia, nëpërmjet sakrificës së madhe, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe nga NATO-ja. Që nga lufta e 1999’ës dhe nga shpallja e pavarësisë sonë më 2008, ne kemi ndërtuar një shtet modern, i vendosur për demokraci, dhe për integrim me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara. Sot, më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara njohin pavarësinë tonë.

Megjithatë, Serbia dhe aleatja e saj, Rusia, kanë refuzuar të njohin sovranitetin tonë, dhe janë përpjekur të bllokojnë anëtarësimin tonë në Kombet e Bashkuara. Duke shkelur marrëveshjen e Brukselit për normalizim të raporteve, Serbia ka punuar që të bllokojë rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, si dhe drejt anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare. Javën e kaluar, përpjekja jonë për t’iu bashkuar Interpol’it u pengua, duke i ndihmuar kështu krimit të organizuar dhe duke dëmtuar zbatimin ndërkombëtar të ligjit.

Tani, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mbështetur nga Rusia, na ka bërë një ofertë të turpshme: Serbia do ta njohë Kosovën, nëse ne ia japim asaj një pjesë të territorit tonë. Serbia dëshiron të krijojë një shtet të “pastër” etnikisht, duke ua hequr shtetësinë qytetarëve dhe duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre.

Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar. Ne nuk do ta shkelim kushtetutën tonë, nuk do ta japim sovranitetin tonë, dhe nuk do ta shkatërrojmë integritetit tonë territorial, vetëm që Serbia ta njohë atë që tashmë është fakt. Ne gjithashtu nuk do të krijojmë një precedent të rrezikshëm, që do të destabilizojë Ballkanin e gjerë dhe vendet që po luftojnë për integritetin e tyre territorial, sikurse Izraeli, Ukraina dhe India.

Shumica e ekspertëve ndërkombëtarë e kundërshtojnë këtë ide. Ajo gjithashtu është refuzuar fuqishëm nga populli i Kosovës – teksa 77 për qind janë shprehur kundër në një anketë të realizuar së fundmi. Si kryeministër i vendit, unë kurrë nuk do ta mbështes një Pazar të tillë.

Për më tepër, ne gjithashtu nuk kemi besim se Serbia do t’i respektojë zotimet e saj, duke ditur se ajo në të kaluarën nuk ka vepruar në mirëbesim. Serbia ka dështuar të zbatojë çfarëdo marrëveshje të madhe që ka nënshkruar me Kosovën, përfshirë Planin e Ahtisaarit, marrëveshjen e Brukselit të 2013’ës për normalizimin e marrëdhënieve, dhe marrëveshjet e 2013’ës dhe të 2015’ës për furnizimin me energji elektrike. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë garantues të këtyre marrëveshjeve, duke demonstruar se si Serbia shpërfill trysninë ndërkombëtare kur ajo aplikohet.

Duke shkelur këto marrëveshje, Serbia kohët e fundit u kap duke bllokuar Kosovën që të bëhet pjesë e INERPOL-it. Për më tepër, Serbia vazhdimisht ka lobuar në BE për të vonuar më tej dhënien e të drejtave të udhëtimit pa viza për kosovarët, pavarësisht se Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në si dhe ka zbatuar më shumë se 95 reforma.

Serbia po përdor para të gjeneruara nga tregtia e padrejtë me Kosovën, që është shokuese, për të financuar këto fushata lobimi kundër ekzistencës sonë dhe zhvillimit ekonomik. Për një kohë të gjatë, Serbia ka abuzuar me tregun e Kosovës dhe ka shkelur kushtet e Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA). Serbia ka hedhur rregullisht produkte të papërpunuara në Kosovë dhe ka shkelur rregullat në lidhje me prokurimin publik, etiketimin, standardet shëndetësore dhe doganat.

Mjaft është e mjaft – në emër të tregtisë së lirë, sigurisë kombëtare dhe interesave tona vitale kombëtare, qeveria ime ka vendosur një tarifë prej 100% për të gjitha mallrat serbe. Këto masa do të mbeten në fuqi derisa Serbia të ndalë përpjekjet e saj për të minuar sovranitetin tonë dhe të fillojë të nderojë angazhimet saj.

Pavarësisht këtyre tensioneve, e di që përgjigja e vetme është paqja, dhe ende me gjithë zemër e mbështes krijimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatw të paqes me Serbinë, ku trajtohen të gjitha çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare dhe kulturore. Për të qenë i suksesshëm, një marrëveshje e tillë duhet të ketë mbështetjen e shumicës së popullsisë së Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që të jetë e qëndrueshme dhe të mbijetojë afatgjatë. Kjo marrëveshje duhet të rezultojë në njohjen e Kosovës nga Serbia, anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe një rrugë të përshpejtuar drejt BE-së dhe anëtarësimit në NATO.

Përderisa marrëveshja përfundimtare arrin këto qëllime dhe nuk bie në kundërshtim me kushtetutën tonë, sovranitetin dhe integritetin territorial, si ideja e keqe për shkëmbimin e territoreve, unë do ta mbështes dhe do t’i nxis të gjithë të tjerët që ta bëjnë këtë. Duke menduar në mënyrë kreative dhe duke punuar së bashku, Kosova dhe Serbia mund të lëvizin përtej mosmarrëveshjeve të tyre të tanishme dhe propozimeve fyese për të krijuar një paqe të qëndrueshme nga e cila përfitojnë të gjithë njerëzit tanë.

Publikuar në Washington Post