16:27 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Shqipëri-Maqedoni, nis takimi i përbashkët ndërqeveritar

Në Pogradec ka nisur sot takimi ndërqeveritar mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë.

Pas mbërritjes së dy kabineteve qeveritare në Pogradec është zhvilluar edhe ceremoniali zyrtar i mirëseardhjes për nder të Kryeministrit Zaev dhe Këshillit të Ministrave të Maqedonisë.

Më pas do të vijohet me çeljen e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Shqipëri-Maqedoni dhe pas mbledhjes do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp e të dy Kryeministrave.

Në fokus të bisedimeve do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumente të rëndësishëm, përfshi plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.

Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë.

Gjithashtu, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave.

Në datën 16, kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, ku do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për studentët e një shkolle lokale.