Shtetet BRICS+ dhe analiza e situatës politike aktuale dhe pasuese në Kosovë
Shkruan: Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi, politikan FWV (Partia e pavarur politike) në Gjermani
Shtetet e BRICS+ janë një shoqatë e vendeve në zhvillim dhe të industrializuara gjegjësisht kundërshtare e NATO-s. Vendet themeluese janë Brazili, Rusia, India, Kina dhe pak më vonë Afrika e Jugut (BRICS). Në samitin e tyre të vitit 2023 në Afrikën e Jugut, vendet e BRICS vendosën të pranojnë gjashtë anëtarë të tjerë. Që nga 1 janari 2024, katër prej tyre tashmë janë bashkuar: Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në bisedimet vazhduese te Bllokut BRICS- plus në pranim e sipër është shteti i Turqisë, Serbia dhe disa shtete tjera.
Së bashku dëshirojnë këto shtete të dobësojnë dominimin ekonomik dhe politik të vendeve të industrializuara perëndimore, veçanërisht G7, dhe të krijojnë një kundërofertë për Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Interesat politike dhe ekonomike të vendeve anëtare të BRICS-plus janë shumë të ndryshme për të sfiduar seriozisht dominimin perëndimor. Megjithatë, anëtarët e BRICS-plus mund të ushtrojnë presion ndaj Perëndimit, veçanërisht në lidhje me burimet natyrore. Por, për shkak të dallimeve të mëdha mes anëtarëve, krijimi i një rendi të ri botëror është pak i mundshëm. Ky fenomen politik mund të ndryshojë në lidhshmëri se edhe sa shtete tjera do ti bashkohen BRICS-it.
Pranimi i Serbisë në BRICS sikur është planifikuar në samitin e fundit, do të dobësojë dhe pengojë zhvillimin e politikës së Kosovës në tërësi, duke minuar integrimin e saj në politikën evropiane dhe përfitimet që Kosova do të gëzonte nga ky integrim. Një veprim i tillë do të ndikonte negativisht në përpjekjet e Kosovës për të forcuar pozicionin e saj politik dhe diplomatik në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Nëse Rusia arrin qëllimin e saj për të pranuar Serbinë në BRICS, ky zhvillim do të destabilizojë politikën evropiane, duke krijuar një ndikim të rëndë veçanërisht në Gjermani, e cila luan një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit dhe unitetit të politikës evropiane. Gjermania është ndër shtyllat kryesore të stabilitetit brenda Bashkimit Evropian dhe përballimi i ndikimit rus përmes BRICS-it do të krijojë tensione të reja, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për të gjithë bllokun evropian dhe ndërkombëtar.
Për këtë arsye, Kosova duhet të jetë e përgatitur të përgjigjet në mënyrë adekuate nëse Serbia integrohet në BRICS. Një zhvillim i tillë kërkon që Kosova të rishikojë strategjitë e saj politike dhe diplomatike për të siguruar që interesat e saj kombëtare dhe stabiliteti politik në rajon të mbrohen me sukses. Stabiliteti i Kosovës dhe aftësia e saj për të përballuar sfidat politike në këtë situatë do të jenë kyçe për të ruajtur balancat dhe integrimet ndërkombëtare
Kurse situata aktuale politike në Kosovë është e karakterizuar nga tensione të brendshme dhe të jashtme, me çështje komplekse që përfshijnë marrëdhëniet me Serbinë, tensionet etnike, dhe sfidat e integrimit ndërkombëtar. Mungesa e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këto probleme e bën Kosovën një vend me një politikë të pastë por pakë të ndërlikuar, që kërkon ndërhyrjen e fuqive ndërkombëtare dhe angazhimin e institucioneve vendore për të ruajtur stabilitetin social, ekonomik dhe politik.
Marrëdhëniet me Serbinë
Një nga problemet më të mëdha politike dhe diplomatike për Kosovën mbeten marrëdhëniet ende të ndërlikuara me Serbinë. Pavarësisht shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, e cila është njohur nga më shumë se 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të BE-së, Serbia ende nuk e njeh Kosovën si shtet sovran. Beogradi vazhdon në mënyrën absurde ta konsiderojë Kosovën si pjesë të territorit të tij dhe për këtë arsye, marrëdhëniet mes dy vendeve janë vazhdimisht të tensionuara. Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka pasur disa rezultate të rëndësishme, si marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, por shumë nga këto marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht, duke çuar në ngecje dhe mosbesim të dyanshëm.
Një nga çështjet kryesore në dialog është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në veri të Kosovës, një entitet që Serbia kërkon të ketë autonomi të zgjeruar, ndërsa qeveria e Kosovës e sheh këtë si një kërcënim për sovranitetin e saj. Ky konflikt ka penguar përparimin e mëtejshëm në bisedime, duke krijuar tensione të vazhdueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Tensionet në Komunat Veriore
Një nga pikat më të ndjeshme të situatës politike në Kosovë është gjendja në komunat veriore të banuara kryesisht nga serbët e Kosovës. Në këto zona, Serbia tenton duke vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm duke mbështetur financiarisht dhe politikisht strukturat paralele që tentojnë të veprojnë në mënyrë të pavarur nga qeveria qendrore në Prishtinë. Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje për të zgjeruar kontrollin e saj në këto komuna, por këto veprime kanë rezultuar shpesh me protesta dhe kundërshtime të dhunshme nga banorët serbë, duke çuar në ndërhyrjen e forcave paqeruajtëse të KFOR-it për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
Situata në veri mbetet një problem serioz për qeverinë e Kosovës, pasi mungesa e kontrollit të plotë në këtë pjesë të territorit të saj sfidon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Tensionet e fundit në këtë rajon përfunduan qetë në favor të Republikës së Kosovës, e cila përfshinte zëvendësimet e targave e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, një çështje që ka çuar në përplasje të hapura dhe ndërhyrje diplomatike ndërkombëtare, por që përfundoi si vendosi Kosova.
Krizat e Brendshme Politike
Politika e brendshme në Kosovë është gjithashtu e mbushur me sfida dhe destabilitet. Kryeministri aktual, Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila fitoi zgjedhjet e fundit me një shumicë të gjerë, ka përballë një opozitë të fortë dhe përçarje të brendshme politike. Qeveria e Kurtit ka ndërmarrë disa reforma të rëndësishme, duke u përqendruar kryesisht në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e transparencës në institucionet shtetërore. Megjithatë, kritikat ndaj tij janë rritur, sidomos për mënyrën e menaxhimit të dialogut me Serbinë dhe për qëndrimin e tij të ashpër ndaj kompromisit me Beogradin. Kjo mënyrë strikte është më se e nevojshme kundër Serbisë, sepse politikës Serbe nuk i besohet lehtë. Nga përvoja shumëvjeçare, Serbia ka thyer marrëveshjet me Kosovën duke mos i respektuar një mori vendimesh dhe rregullore nacionale dhe internacionale.
Kundërshtimet brenda skenës politike të Kosovës vijnë jo vetëm nga opozita, por edhe nga disa segmente të shoqërisë civile dhe nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë që Kosova të jetë më fleksibile në negociatat me Serbinë për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme. Një tjetër shqetësim i madh janë reformat ekonomike dhe sociale që Kurti ka premtuar, të cilat ende nuk kanë dhënë rezultate konkrete, duke çuar në pakënaqësi të një pjese të popullatës. Por qeveris Kurti i mungon koha për realizimin e shumë projekteve të cilat kërkojnë kohë të vendosen në shinat e duhura. Prandaj për këto vite të qeveris është e pa mundur të realizohet të gjitha strukturat e duhura demokratike.
Ndikimi Ndërkombëtar dhe Marrëdhëniet me BE-në
Kosova mbetet një nga vendet me mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Sidoqoftë, rruga drejt integrimit në BE dhe NATO është ende e gjatë dhe me sfida të shumta. Mospranimi i njohjes së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro) është një pengesë e madhe për përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian. Megjithëse Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, si nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, liberalizimin vizave I cili është një hap i rëndësishëm në politikën e Republikës së Kosovës.
Sfidat e Ardhshme
E ardhmja politike e Kosovës do të varet edhe nga mënyra se si do të zgjidhen tensionet me Serbinë dhe si do të trajtohen sfidat e brendshme politike. Sidomos me pranimin e Serbisë ne Shtetet BRICS +.
Ndërsa dialogu me Serbinë është thelbësor për paqen dhe stabilitetin afatgjatë, sfidat e brendshme, përfshirë luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve demokratike, mbeten gjithashtu prioritare.
Pa një zgjidhje të qëndrueshme për çështjet kryesore që ndajnë Kosovën dhe Serbinë, përparimi drejt integrimit evropian dhe stabilitetit rajonal do të mbetet i ngadalshëm. Megjithatë, mbështetja ndërkombëtare për Kosovën mbetet e fortë, dhe angazhimi i vazhdueshëm nga fuqitë perëndimore do të luajë një rol kyç në formësimin e të ardhmes politike të vendit.