Skocia e mposht Shqipërinë në Shkodër
Kombëtarja e Shqipërisë për femra është mundur sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me rezultatin 1-2, përballë përfaqësueses së Skocisë.
Një tjetër disfatë e ekipit kuqezi e vlefshme për ndeshjen e tetë në këto kualifikuese të Kupës së Botës për femra, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Francë.
Shqipëria e pa veten në disavantazh që në minutën e 9’, kur Little kaloi Skocinë në epërsi.
Ekipi kuqezi nuk u dorëzua dhe falë insistimit ka gjetur barazimin provizor para përfundimit të pjesës së parë, teksa në të 45’ ishte Doci që riktheu ekuilibrat.
Gjithsesi, në pjesën e dytë, Skocia kaloi sërish në avantazh, kësaj here me Ross në të 68’, për të regjistruar fitoren e radhës.
Pas kësaj ndeshje Skocia konfirmohet në krye të grupit të dytë, në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Shqipëria nuk ia del dot të përmirësojë pozitat, as për statistikë, duke u renditur në vend të katërt, me vetëm 4 pikë, një më shumë se Bjellorusia e vendit të fundit. Zvicra dhe Polonia mbajnë respektivisht vendin e dytë dhe të tretë të grupit, me nga 19 dhe 11 pikë.