18:34 / E Premte, 29 Qershor 2018 / indeksADMonline

Statuti i Asociacionit në proces të përkthimit në shqip

Qeveria e Kosovës ende është duke e shqyrtuar raportin e punës së ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Koordinatori i Qeverisë së Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende Qeveria nuk ka një qëndrim lidhur me atë se çka përmban ai raport i dorëzuar.

Ekipi menaxhues, përbëhet vetëm nga pjesëtarë të komunitetit serb, andaj drafti i është dorëzuar Qeverisë në gjuhën serbe, me shkronja dhe alfabet cirilik. Andaj, tani Qeverisë së Haradinajt i duhet kohë për përkthim të tekstit.

“Ai dokument është në përkthim e sipër dhe sapo të përfundojë, do të deklarohemi për përmbajtjen e tij”, u shpreh Arifi.

Ai nuk deshi të komentojë asgjë në lidhje me përmbajtjen e këtij draft-statuti, i cili është në proces e sipër.

“Këto procesverbale, janë nga takimet dhe nuk i takon Qeverisë të deklarohet për takime të brendshme, të cilat kanë ndodhur. Mirëpo, presim se si do të jetë draft-statuti “, shtoi Arifi.

Kurse, duke folur për përbërjen e ekipit hartues të statuti të Asociacionit, Arifi tha se përbërja e tij nuk ka mundur të ndryshohet dhe nuk mund të ndryshojë, pasi që një përbërje e tillë parashihet me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Është marrëveshje ndërkombëtare që ekipi menaxhues të ketë vetëm katër serbë dhe asnjë shqiptar, dhe ky ka qenë insistim i ndërkombëtarëve dhe palës serbe që marrëveshja e nënshkruar nga përfaqësuesit e Kosovës, që kanë qenë, të respektohet”, sqaroi Arifi.

Nga ana tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj, tha për REL, se duke pasur parasysh përbërjen e trupit, i cili ka përgatitur statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk është që pritet se ai do të jetë një statut, i cili këtë organizëm, pra Asociaconin, do ta shohë, apo do ta parashikojë si një organizatë pa kompetenca ekzekutive.

“Nuk është dashur të pritet, në fakt është utopi të pritet se duke pasur parasysh që ata janë të etnitetit serb, do të mund të hartonin një statut ndryshe nga ai që është hartuar. Ne e dimë se statuti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, po ashtu, kur të jetë gati, mirëpo kjo qasje e këtyre ekspertëve që e kanë hartuar statutin duhet parë në përpjekjet e Beogradit që të themelojë Asociacion me kompetenca ekzekutive brenda territorit të Kosovës, që realisht do të ishte një lloj autonomie, respektivisht një lloj nivel i tretë i pushtetit”, vlerësoi Mushkolaj.

Mushkolaj tha se vetë nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel e ka bërë të qartë se ky Asociacion ka kompetenca ekzekutive.

“Kishim edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se 23 nene ishin në kundërshtim me frymën kushtetuese. Mirëpo, mos të harrojmë se së fundi kishte një thirrje nga Bashkimi Evropian që Asociacioni të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit, pra harrohej fare kjo pjesa që thuhej në disa prej komunikimeve zyrtare të Bashkimit Evropian se duhet themeluar edhe sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe unë besoj se trupi që e ka hartuar statutin e Asociacionit, e ka pasur parasysh marrëveshjen e Brukselit”, theksoi Mushkolaj.

Megjithatë, Mushkolaj konsideron se në rast se grupi për hartimin e statusit të Asociacionit ka punuar në kundërshtim me rregullat dhe jashtë kornizave të paracaktuara, duhet të ndëshkohet nga Qeveria e Kosovës.

“Në anën tjetër, nëse ata arsyetojnë se këtë statut e kanë hartuar duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, atëherë këtu nuk e besoj se ka shumë çfarë të diskutohet, gjithnjë duke pasur parasysh se ajo marrëveshje është nënshkruar nga atëherë kryeministri i Kosovës, tash presidenti Hashim Thaçi”, shtoi Mushkolaj.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal javën e kaluar i ka dorëzuar një raport kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me punën e ekipit menaxhues.

Formimi i Asociacionit të komunave serbe nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shihet si çështja kyçe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Ndërkaq, institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, të cilat, sipas Prishtinës, janë bllokuar nga Beogradi.