23:22 / E Hënë, 13 Gusht 2018 / indeksADMonline

Superkupa e Kosovës përmes fotografive, përplot emocione (Foto)

Sot ishte një ditë e madhe për futbollin kosovar.

Në stadiumin e renovuar “Fadil Vokrri”, me standarde të UEFA-s, u zhvillua ndeshja e futbollit mes Dritës dhe Prishtinës.

Mijëra tifoz u nisën drejt stadiumit për të zënë vend, dy orë para fillimit të këtij eventi sportive.

Këtu, asesi nuk munguan forcat e rendit për tu kujdesur për mbarëvajtjen e gjithë kësaj ndeshje, shkruan Indeksonline.

Interesimi për të ndjekë nga afër këtë lojë ishte jashtëzakonisht i madh, dhe të gjitha biletat u shiten në kohë rekord. Kështu, shumë tifoz mbeten jashtë stadiumit.

E pranishme ishte edhe familja e legjendes së futbollit, Fadil Vokrri.

Ndërkohë që të dyja ekipet po bënin përgatitjet e fundit për këtë sfidë. Të pranishëm ishin edhe disa politikan të vendit, përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi.

Interesimi për të parë këtë ndeshje futbolli vërehej se ishte nga grupmosha të ndryshme.

 

Atmosfera në stadium dukej e zjarrtë, dhe përplot emocione.

Disa minuta pasi loja filloi kishe shance të shumta ekipi i Prishtinës për të shënuar në portën e klubit Drita. Dhe keshtu, goli i parë erdhi nga Makenda i Prishtinës, për të përmbyllur pjesën e parë të kësaj ndeshjeje.

Pjesa e dytë e lojës- nuk vazhdoi edhe aq mirë. Kjo pasi që disa tifoz hodhën mjete piroteknike në fushë.

Tifozët e të dyja palëve, kanë hedhur mjete piroteknike gjë që është e ndaluar me rregulla të UEFA-së dhe FIFA-së.

Inspektorët e sigurisë së UEFA-s dukeshin të pakënaqur në momentin e këtij akti jo të hijshëm, transmeton IndeksOnline.

Në pjesën e dytë barazoi edhe Drita me Fidan Gërbeshin.

Pas një kundërsulmi perfekt nga gjilanasit dhe një pasimi brilliant nga Shabani, Haxhimusa ka shënuar gol në minutën e 82-të.

Prishtina kishte më shumë raste sonte, megjithatë Drita në stilin e kampionit, arrinë ta rikthejë rezultatin.

Drita është shpallur kampione e Superkupës së Kosovës në futboll.

Skuadra gjilanse ka arritur që ta mposhtë Prishtinën me rezultat, 2-1.

Ky ishte titulli i parë i Dritës në Superkupën e Kosovës në futboll, shkruan Indeksonline.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe i biri i presidentit të ndjerë, Fadil Vokrrit, Gramozi dorëzuan trofeun te Drita.

Pas përfundimit të kësaj, policia e Kosovës ka arrestuar disa persona me dyshimet se po të njejtit hodhën mjetet piroteknike derisa po zhvillohej superkupa. /Indeksonline/