Të rejat e fundit për policin që u sulmua nga vëllai i Rexhep Selimit
Pas 48 orë suspendim nga puna, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka marrë vendim për policin që ditë më parë ishte sulmuar nga Ramadan Selimi, vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit.
Indeksonline mëson se IPK-ja ia ka zgjatur suspendimin të njëjtit, mirëpo duke mos dhënë ndonjë arsyetim pse është marrë një vendim i tillë.
Ndërkohë, javën e kaluar IPK-ja përmes një komunikate për media kishte sqaruar se pas zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është bastisur një lokacion në Lagjen e Spitalit në Prishtinë ku janë konfiskuar armë të ndryshme që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme.
“… hetuesit e IPK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kanë bastisur një lokacion në Lagjen e Spitalit në Prishtinë ku janë konfiskuar një pistolete me karikator, një armë me mbishkrimin THOMSON, dy fishekë gjuetie, gjashtë fishek të ndryshëm (dyshohet të jenë pistolete), 7 thika të modeleve të ndryshme, shufër metalike, boks metalik etj. që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”
Ndërsa Prokuroria e Prishtinës nuk ka kërkuar ndonjë masë të paraburgimit për zyrtarin policor, i cili ishte arrestuar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka kishte deklaruar se të dyshuarit me inicialet A.I. i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, por më pas me vendim të Prokurorisë i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
Ndryshe, Ramadan Selimi u arrestua më 2 marsit nën dyshimin se kishte sulmuar zyrtarin policor. /Indeksonline/