16:22 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Deputetët të hartojnë platformë të përbashkët, përballë Serbisë duhet të jemi unik

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nga takimet në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Munihut, të mbajtur në Minsk të Bjellorusisë, ishte përfundim i përbashkët se dialogu është rruga e vetme, duke theksuar edhe një herë nevojën e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Mundësia për marrëveshje është reale, jemi larg, por në të njëjtën kohë shoh mundësi dhe shoh vullnet prej bashkësisë ndërkombëtare që të shtyhet ky proces përpara por në fund të fundit dy vendet tona, Kosovë, Serbi, janë ato që vendosin për marrëveshjen, për të marrë përgjegjësi të kësaj ujdie paqësore që nënkupton definitivisht njohjen reciproke, që nuk do të ketë në asnjë rrethanë kufij në baza etnike, nuk do të ketë shkëmbim të popullatave e gjithashtu nuk do të ketë probleme, nuk do të ketë shqetësime çfarë paraqiten aty këtu”, tha ai.

Ai shpreson dhe beson se marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi do të jetë një marrëveshje që do të sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor dhe frymë edhe më të fuqishme evropiane .

Thaçi ka komentuar edhe takimin me kryeministren serbe Ana Bërnabiq në Minsk të Bjellorusisë, takim për të cilin kryesuesi i Konferencës së Sigurisë së Munihut, Wolfgang Ischinger, ka thënë se në të është kritikuar qasja e Gjermanisë ndaj idesë së ndryshimit të kufijve.

“Në asnjë rrethanë, në asnjë rast, unë kam pasur minimum 3-4 takime me ambasadorin Ischinger i cili jep një mbështetje procesit të dialogut, njohjes reciproke, mundësisë së arritjes sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje, dhe mendoj që opinionet e të tjerëve që paraqiten nuk mund t’i atribuohen askujt. Unë Berlinin e shoh si partner strategjik për Kosovën, jemi mirënjohës për rolin historik që ka luajtur në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe e shoh si portë për të ardhmen e Republikës së Kosovës dhe Ballkanin Perëndimor, ndërsa të tjerët çka mund të flasin në drejtim të Berlinit u mbetet atyre, por jo t’i atribuohet Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Thaçi u shpreh se Kosova nuk duhet të lejojë që të mbajë përgjegjësinë e mos unitetit, duke thënë se ata që ulen në tavolinë janë gjithmonë fitues.

“Ftoj të gjithë deputetët e të gjitha partive politike pa dallim që të hartojnë një platformë të përbashkët me agjendë shtetërore të përbashkët në mënyrë që të kemi edhe një ekip qeveritar te përfshirë edhe nga partitë opozitare në dialogun me Serbinë. Sot beteja nuk duhet të jetë në mes të njëri-tjetrit në Kosovë, por duhet të jetë përballë Serbisë, përballe Serbisë duhet të jemi unik e kur jemi unik ne jemi fitues”, u shpreh ai.

“Në raport me Kosovën ata (Bjellorusia) tash janë në një pozicion refuzues për ta njohur pavarësinë e Kosovës, por me rëndësi është komunikimi, me rëndësi është që të njihemi me njëri tjetrin dhe me rëndësi është që të kuptojmë se ne nuk jemi në pozicione armiqësore por mund të jemi në një të ardhme partnerë konstruktiv në bashkëpunimet tona të interesit të përbashkët të të dy vendeve tona”, tha Presidenti.